✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

REKTORI I HARVARDIT TE VJEDHJES/ VASILI GODET RAMEN, MESAZH EDHE PER MARTA KOS

Petrit Vasili ka publikuar një sulm të fortë politik ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e ironizuar qeverisjen e tij si një universitet gjigant të korrupsionit dhe vjedhjes. Përmes një metafore therëse, deputeti i opozitës e quan Ramën “rektorin e Harvardit të vjedhjes”, ndërsa nuk kursen as komisioneren europiane Marta Kos, duke e ftuar me ironi të marrë një diplomë master në këtë universitet imagjinar.

Sipas Vasilit, e vetmja reformë që Rama ka realizuar me sukses është shndërrimi i qeverisjes në një mekanizëm të gjerë korrupsioni. Ai ironizon edhe vlerësimet europiane për ecurinë e reformave në Shqipëri, duke pretenduar se pas fasadës së suksesit fshihen mungesa e shërbimeve publike, skandalet dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.

Në reagimin e tij, Vasili rendit një sërë problematikash që, sipas tij, karakterizojnë qeverisjen Rama: transportin e prapambetur, krizën në arsim dhe shëndetësi, dhunën policore, korrupsionin, akuzat për manipulim zgjedhor dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë në çështje nën hetim.

Ironia e tij arrin kulmin kur i drejtohet Marta Kos, duke sugjeruar se ajo dhe zyrtarët europianë që vlerësojnë reformat e Ramës mund të përfitojnë bursa për të studiuar “artin e vjedhjes”.

Në përfundim, Petrit Vasili e cilëson këtë model qeverisjeje si një turp për Europën dhe u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të mos ndalen së protestuari.

E PLOTE

Nga Petrit Vasili

Vetëm një reformë ka realizuar me më shumë sukses Edi Rama, qeveria e tij dhe e gjithë lukuni e rilindasve: kthimin e qeverisjes në Harvardin e vjedhjes.

Pa diskutim, Rama ka themeluar universitetin më të madh të vjedhjes në Europë dhe në botë. Për thellësinë dhe larminë e vjedhjeve, ky universitet hajdutësh mund të quhej një Harvard i vërtetë.

Me siguri, Marta Kos ka pasur parasysh pikërisht këtë reformë “harvardiane” të vjedhjes kur flet për përparimin në reforma.

Dhe Kos ka të drejtë: të gjitha llojet dhe format e vjedhjes dhe të korrupsionit i gjen në qeverinë Rama. Madje, Kos mund të sjellë të gjithë BE-në për të përsosur artin e vjedhjes.

Rama, ose rektori i Harvardit të vjedhjes, mund t’i akordojë edhe bursa studimi për masterin e vjedhjes së përsosur, si për Kosin, ashtu edhe për të gjithë “kosrat” e BE-së që mahniten nga reformat imagjinare të Ramës.

“Reformat” e suksesshme të Ramës na kanë garantuar mungesën e shërbimeve bazë: nga transporti urban primitiv dhe trenat që nuk ekzistojnë, te arsimi me treguesit më të frikshëm të injorancës; nga shëndetësia që u plaçkit xhepat qytetarëve, te policia që i dhunon egërsisht; nga qeverisja e korruptuar gjer në grykë, te një qeveri që vjedh zgjedhjet me kriminelë; nga një ushtri që mbjell kanabis, te narkoshteti; nga zjarrfikësit që shuajnë zjarret me fshesa dhe makina 50-vjeçare, te dhjetëra ministra, zëvendëskryeministra dhe kryetarë bashkish nën hetim për korrupsion.

Ky lloj Kosi që u serviret shqiptarëve është thjesht një turp për Europën dhe një shkelmim i të gjitha vlerave të saj.

Ndaj, Kos le t’i gëzohet Harvardit të vjedhjeve të Ramës, ndërsa shqiptarët nuk kanë zgjedhje dhe zgjidhje tjetër veç protestave pa ndalim.

Advertisement