✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Nga punëtore fabrike në kandidate për presidente të Gjermanisë, kush është Ilse Aigner?

Politikania bavareze Ilse Aigner po shihet si një nga kandidatet kryesore për të pasuar Frank-Walter Steinmeier në postin e presidentit të Gjermanisë. Sipas raportimeve që citojnë burime pranë Unionit Kristian, Aigner ka siguruar mbështetjen e bllokut konservator CDU/CSU dhe të socialdemokratëve të SPD-së, duke u pozicionuar në avantazh për garën presidenciale.

61-vjeçarja mban aktualisht postin e presidentes së Parlamentit të Bavarisë. Përpara karrierës politike, ajo ka punuar në biznesin familjar dhe si punëtore në montimin e komponentëve elektrikë për helikopterë, në një kompani që më vonë u ble nga Airbus.

Aigner hyri në politikë në vitin 1994, kur u zgjodh në parlamentin rajonal të Bavarisë. Katër vite më vonë siguroi mandatin e parë në Bundestag, ndërsa më pas shërbeu si ministre e Bujqësisë në qeverinë e Angela Merkelit.

Rruga e saj drejt posteve të larta politike është veçanërisht e spikatur edhe për faktin se nuk ka diplomë universitare apo diplomë të shkollës së mesme.

Nëse zgjidhet, Aigner do të bëhej gruaja e parë në historinë e Gjermanisë që merr postin e presidentes federale, si dhe politikania e parë kristiansocialiste nga Bavaria në këtë detyrë.

Presidenti federal gjerman zgjidhet nga Asambleja Federale, e përbërë nga 630 deputetë të Bundestagut dhe 630 përfaqësues të landeve. Votimi i ardhshëm pritet të zhvillohet më 30 janar 2027. Megjithatë, pavarësisht mbështetjes së raportuar nga CDU/CSU dhe SPD, kandidatura e Aigner ende nuk është zyrtarizuar.

Advertisement