✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Tri ndërhyrje komplekse në QSUT, ndiqen drejtpërdrejt nga ekspertët europianë

Për herë të parë në Shqipëri, tri ndërhyrje kirurgjikale për trajtimin e ngushtimit të arterieve karotide janë realizuar dhe transmetuar drejtpërdrejt gjatë Kongresit Europian të Anesteziologjisë dhe Terapisë Intensive, që po zhvillohet në Tiranë.

Operacionet u kryen njëkohësisht nga tri ekipe të Shërbimit të Kirurgjisë Vaskulare në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në bllokun e ri operator. Ndërkohë, në sallën e kongresit, profesorë dhe ekspertë europianë, së bashku me mjekët pjesëmarrës, ndoqën në kohë reale të gjitha fazat e ndërhyrjeve.

Një prej ekipeve drejtohej nga shefi i Shërbimit të Kirurgjisë Vaskulare, Prof. Dr. Sokol Xhepa. Ai tha se ndërhyrjet paraqisnin vështirësi të veçanta për shkak të ngushtimit të theksuar të arterieve, por edhe të sëmundjeve të tjera që kishin pacientët. Sipas tij, zhvillimet në teknikat kirurgjikale dhe trajtimet mjekësore po bëjnë të mundur trajtimin edhe të pacientëve me patologji bashkëshoqëruese.

Të tria operacionet përfunduan me sukses, falë bashkëpunimit mes ekipeve të kirurgjisë vaskulare dhe atyre të anestezi-reanimacionit. Mjeku anestezist-reanimator, Dr. Ervin Bejko, bëri të ditur se dy pacientë iu nënshtruan ndërhyrjes nën anestezi të përgjithshme, ndërsa pacienti i tretë ishte i vetëdijshëm dhe komunikonte me ekipin gjatë operacionit.

Kongresi Europian i Anesteziologjisë dhe Terapisë Intensive – Albania 2026 zhvillohet për tri ditë në Tiranë. Aktiviteti ka mbledhur specialistë shqiptarë dhe të huaj, me synimin për të shkëmbyer përvojat profesionale dhe për të prezantuar zhvillimet më të fundit shkencore e teknologjike në fushën e mjekësisë.

Advertisement