Aktualitet
Cigarja e ndezur nga një banor shkaktoi zjarrin në apartamentin në Lezhë? Dalin detajet
Policia ka bërë të ditur shkakun paraprak të zjarrit që përfshiu një banesë në lagjen “Skënderbeg” në Lezhë, ku dyshohet se flakët u shkaktuan nga një cigare e lënë ndezur nga pronari i banesës.
Sipas njoftimit zyrtar, zjarri ra rreth orës 16:30 të së shtunës, më 7 nëntor, në banesën e shtetasit me inicialet A. L. Si pasojë, u shkaktuan dëme materiale, ndërsa ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse bëri të mundur shuarjen e flakëve.
Policia dhe zjarrfikësit evakuuan banorët e pallatit për të shmangur pasoja të mëtejshme. Për shkak të tymit, disa prej tyre shfaqën shenja asfiksie dhe u transportuan në Spitalin Rajonal të Lezhës. Sipas policisë, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pronari i banesës është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, ndërsa grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave.