✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Veliaj “hakmerret” pas transferimit nga Durrësi në Fier, kallëzon drejtoreshën e Burgjeve

Erion Veliaj ka kallëzuar penalisht për shpërdorim detyre drejtoreshën e Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, duke kundërshtuar transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit. Kallëzimi është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës nga avokati i tij, Plarent Ndreca.

Në kallëzim, Veliaj pretendon se transferimi i kryer më 28 tetor 2026 është bërë në mënyrë të paligjshme, pasi nuk është njohur me urdhrin përkatës dhe as me arsyet ligjore që justifikonin këtë vendimmarrje. Sipas tij, përgjegjësia për këtë veprim bie mbi drejtoreshën e Burgjeve, e cila ka firmosur urdhrin e transferimit.

Kreu i Bashkisë së Tiranës pretendon gjithashtu se vendimi është marrë pa respektuar të drejtat e tij ligjore si person në paraburgim, ndërsa më herët e ka cilësuar transferimin si politik.

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua nga SPAK në kuadër të hetimeve për çështjen e Bashkisë së Tiranës.

Transferimi në Fier u shoqërua edhe me akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama. Përmes një letre, Veliaj pretendoi se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë një takimi në qeli, i kishte kërkuar në emër të Ramës të hiqte dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe t’ia linte atë Arbër Hajdarit, duke e kërcënuar me 100 vite burg në rast refuzimi. Ministri Gogu konfirmoi takimin, por mohoi akuzat e bëra nga Veliaj.

Advertisement