Kronike
Ekzekutimi i shqiptarit/ Media spanjolle: Luka, gangsteri i rrezikshëm nga Vlora i lidhur me mafien italiane
Një 39-vjeçar shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri në Spanjë, në rrethana që po hetohen nga autoritetet. Viktima është identifikuar si Luka Beqiraj, i njohur edhe me nofkën “Kriols”, i cili u qëllua për vdekje të martën në një kompleks sportiv në zonën e Playa Flamenca, në Orihuela Costa, provinca e Alicantes.
Sipas mediave spanjolle, Beqiraj kishte një të kaluar kriminale dhe dyshohet se kishte pasur lidhje me rrjete mafioze italo-shqiptare, të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve.
Autori i krimit është ende në arrati. Ai dyshohet se ka qëlluar ndaj 39-vjeçarit dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Guardia Civil ka nisur kërkimet për identifikimin dhe arrestimin e tij.
Hetuesit nuk kanë përjashtuar asnjë pistë, ndërsa një nga dyshimet kryesore lidhet me një larje hesapesh për shkak të borxheve të mundshme që viktima mund të kishte nga aktiviteti i tij i mëparshëm krim
I përfshirë në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës dhe armëve
Luka Beqiraj kishte lindur në vitin 1987 në qytetin e Vlorës. Sipas mediave spanjolle, ai kishte qenë i lidhur me grupe kriminale italo-shqiptare, të përfshira në trafikun e drogës dhe armëve të zjarrit.
Në vitin 2016, ai ishte arrestuar në Shqipëri, pasi dyshohej se kishte ushtruar dhunë të rëndë ndaj një personi tjetër, duke e plagosur rëndë, raportojnë mediat shqiptare të kohës.
Tre vite më vonë, në vitin 2019, Beqiraj u arrestua sërish gjatë operacionit të gjerë “Fiori di Primavera” (Lulet e Pranverës), të zhvilluar nga Policia Financiare italiane. Operacioni përfshiu më shumë se 100 efektivë dhe përfundoi me 27 persona të arrestuar, pas dy vitesh hetimesh.
Sipas hetimeve italiane, personat e arrestuar dyshoheshin për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, si dhe për posedim dhe futje në Itali të armëve dhe municioneve të luftës.
Mes 21 shtetasve shqiptarë të arrestuar në këtë operacion ishte edhe emri i Luka Beqirajt. Mediat vendase kanë publikuar edhe një fotografi të tij të realizuar gjatë procedurave të identifikimit policor në Itali.
Sipas të njëjtave raportime, ai dyshohej gjithashtu në Shqipëri për përfshirje në vrasjen e dy personave.
Grupi kriminal me të cilin dyshohet se kishte lidhje kishte baza operative në provincën e Leçes, në jug të Italisë, ndërsa shtrirja e tij përfshinte edhe rajone të tjera, si Kalabria, Toskana, Emilia-Romanja, Sicilia, Liguria dhe Lombardia.
Costa Blanca, strehë për personat me precedentë kriminalë
Në artikullin e saj, media spanjolle ndalet edhe te fenomeni i përdorimit të zonës së Costa Blanca-s si strehë nga persona të dyshuar për veprimtari të rënda kriminale.
Gjatë dekadave të fundit, kjo zonë është kthyer në një destinacion ku janë vendosur persona të dyshuar për vrasje, rrëmbime, trafik droge dhe grabitje. Lidhjet e mira të transportit, afërsia me korridorin mesdhetar, aeroportet, portet turistike dhe fluksi i lartë i vizitorëve krijojnë kushte që, sipas ekspertëve, mund të shfrytëzohen për t’iu shmangur autoriteteve.
Personat e përfshirë në këto rrjete kriminale kërkojnë shpesh zona ku kanë krijuar më parë mbështetje logjistike, si dhe komunitete bashkëkombësish apo bashkëpunëtorësh të lidhur me organizatat e tyre.
Megjithatë, prania në këto zona nuk i mbron nga grupet rivale, të cilat përdorin atentatet dhe larjen e hesapeve për të vendosur ose ruajtur ndikimin e tyre.
José Luis Gil, bashkëpërfaqësues në Spanjë i Shoqatës Evropiane të Analistëve të Inteligjencës Kriminale (EACA), shpjegon se aktet e dhunës të kryera në vende publike, si vrasjet në mes të ditës apo në parkingje, mund të kenë edhe një funksion demonstrues.
Sipas tij, këto akte synojnë të dërgojnë mesazhe paralajmëruese ndaj grupeve rivale, të ruajnë unitetin e brendshëm të organizatave kriminale ose të shërbejnë si ndëshkim shembullor në kuadër të larjes së hesapeve.
Eksperti vëren gjithashtu se mënyra e veprimit të grupeve kriminale ka ndryshuar. Në të kaluarën, për qëllime intimidimi përdoreshin kryesisht armët e ftohta, pistoletat apo armët e gjahut. Ndërsa sot, në këto rrjete janë përfshirë edhe grupe me shtetas gjeorgjianë, shqiptarë, serbë dhe rusë, disa prej të cilëve kanë formim dhe përvojë të mëparshme ushtarake ose policore në vendet e tyre.
Ndër zonat që konsiderohen me aktivitet të lartë të grupeve kriminale është edhe Orihuela Costa, ku Guardia Civil vijon operacionin për gjetjen dhe arrestimin e autorit të vrasjes së Luka Beqirajt.
inal. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për motivin e vrasjes.