Sport
Festa në “Air Albania” nuk mjafton, Maran kritika për kombëtaren: Kështu nuk shkohet përpara
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, u shfaq i kënaqur pas fitores 2-0 ndaj Finlandës në “Air Albania”.
Megjithatë, pavarësisht triumfit të rëndësishëm, tekniku italian evidentoi edhe disa aspekte të lojës që skuadra duhet të përmirësojë në ndeshjet e ardhshme.
Në prononcimin e dhënë pas takimit, Maran vlerësoi angazhimin e futbollistëve dhe atmosferën e krijuar në stadium, duke theksuar se Shqipëria mund të kishte shënuar edhe më shumë gola.
“Elementi më pozitiv është përfshirja dhe krijimi i një atmosfere shumë pozitive edhe për tifozët në stadium. Më ka pëlqyer qasja e lojtarëve, skuadra që edhe mund të merrte 2 nga 3 rezultate, kërkoi vetëm fitoren edhe pse vuajtëm në momente specifike. Kemi qenë të zotë edhe në këto momente. E rëndësishme është që kemi fituar para tifozëve tanë që ka sjellë një atmosferë të bukur.
Djemtë kanë qenë shumë të zotë për të treguar cilësitë e tyre. Kjo edhe pse Finlanda nuk është e lehtë për t’u mundur. Për mua ky është një rezultat shumë i rëndësishëm. Mbi këtë bazë mund të ndërtojmë në vijim. Mund të arrijmë më shuëm në vijim se kemi bërë një ndeshje cilësore. Kemi bërë dy gola por mund të bënim më shumë. Kemi qenë të rrezikshëm në portën kundërshtare”, tha trajneri Marana.
Pavarësisht paraqitjes pozitive, trajneri italian identifikoi edhe një problem që duhet korrigjuar nga kuqezinjtë. Sipas tij, skuadra nuk duhet t’u japë hapësira kundërshtarëve duke ulur ritmin dhe duke u bërë pasive gjatë lojës.
“Ajo që duhet të përmirësojmë është të shmangim pasivitetin, se mund t’i krijojmë hapësirë kundërshtarëve. Kjo edhe për shkak të kundërshtarit përballë. Kur ne bëhemi pasiv kundërshtari fiton besim dhe ne nuk duhet t’ia japim këtë mundësi”, shtoi ai.
Në fund, Maran u ndal edhe te sfida e fundit ndaj Bjellorusisë, duke bërë të qartë se Shqipëria nuk do të zbresë në fushë për të bërë llogari, por me synimin për të dhënë maksimumin dhe për të zhvilluar një tjetër paraqitje pozitive.
“Unë besoj se skuadra jonë nuk mund të bëjë llogari për ndeshjen e fundit me Bjellorusinë. Duhett ë zbresë në fushë për një paraqitje sa më të mirë. Jam unë i pari që nuk duhet të bëjë llogari sepse nuk do jepja mesazhin e duhur. Duhet të zbresin në fushë për të dhënë maksimumin”, u shpreh Rolando Maran.
Fitorja me Finlandën
Kombëtarja ka marrë mbërmjen e djeshme një fitore të rëndësishme ndaj Finlandës, duke hedhur një tjetër hap të madh drejt objektivit në Ligën e Kombeve.
Kuqezinjtë triumfuan në “Air Albania”. Ndeshjen e vendosi “magjia” e Muçit dhe goli i Manajt me kokë pas krosit të Hysajt.
Skuadra kuqezi e nisi takimin me synimin për të marrë kontrollin e lojës dhe krijoi rrezik që në minutën e parë, kur Laçi provoi pas një pasimi të Pilos, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë kuadratit.
Pas disa tentativave të Asllanit dhe Muçit, Shqipëria gjeti golin e avantazhit në minutën e 35-të. Ernest Muçi dhuroi një moment spektakolar, duke lëshuar një goditje të jashtëzakonshme me të jashtmen nga krahu i djathtë, që përfundoi në rrjetë.
Finlanda tentoi të reagojë dhe pati disa mundësi nga goditjet standarde, por Etrit Berisha u tregua vendimtar, veçanërisht në minutën e 42-të, kur ndali me një pritje fantastike goditjen me kokë të Tenho.Në pjesën e dytë, Shqipëria e nisi me një tjetër goditje. Në minutën e 50-të, Elseid Hysaj krosoi në mënyrë perfekte nga e djathta dhe Rey Manaj, me një goditje të saktë me kokë, dyfishoi shifrat.
Sulmuesi kuqezi pati edhe një tjetër mundësi të mirë katër minuta më vonë, por nuk arriti të gjente portën. Shqipëria vijoi të kërkonte golin e tretë, ndërsa Finlanda provoi të rikthehej në lojë.
Një moment i rëndësishëm i takimit ishte minuta e 67-të, kur Finlanda mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Tenhos, për një ndërhyrje të rëndë ndaj Muçit, i cili po nisej në kundërsulm.
Në minutat e mbetura, kuqezinjtë administruan avantazhin dhe patën mundësi të tjera për të thelluar rezultatin, me Laçin që provoi në minutën e 73-të, ndërsa Suhoinen rrezikoi për finlandezët në minutën e 78-të.
Me këtë fitore, Shqipëria shkon në 12 pikë pas katër ndeshjesh dhe blindon kreun e Grupit C1 në Ligën e Kombeve. Tashmë, kuqezinjtë kanë përpara një përballje direkte në transfertë ndaj Bjellorusisë, në Hungari, ku një barazim do të mjaftonte për të siguruar objektivin e vendosur në këtë edicion. Kombëtarja është shumë pranë ringjitjes në Ligën B