Aktualitet
PUNIME NE HYRJE TE TIRANE-DURRES/ ARRSH NJOFTON DEVIJIMIN E LEVIZJES DUKE FILLUAR NGA SOT
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar se duke nisur nga dita e nesërme, datë 13 nëntor, do të fillojnë punimet në segmentin rrugor nga Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit, në kuadër të projektit për plotësimin e infrastrukturës dhe përmirësimin estetik të këtij aksi.
Sipas ARRSH-së, projekti parashikon ndërtimin e mbikalimeve për këmbësorët, gjelbërimin e segmentit rrugor, instalimin e sistemit të ndriçimit, si dhe përmirësimin e shtresave asfaltike nga Sheshi Shqiponja deri në pikën e lidhjes me autostradën e re.
Gjatë zhvillimit të punimeve do të devijohet përkohësisht njëra prej korsive të qarkullimit, ndërsa lëvizja e automjeteve do të vijojë në korsitë e tjera të disponueshme, sipas planit të menaxhimit të trafikut.
“Autoriteti Rrugor Shqiptar vijon zbatimin e projektit “Plotësimi i punimeve dhe përmirësimi estetik nga Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit”, i cili synon plotësimin e elementeve infrastrukturore dhe përmirësimin estetik të këtij aksi rrugor.
Në kuadër të këtij projekti, duke filluar nga data 13.11.2026, do të nisin punimet e parashikuara, të cilat përfshijnë ndërtimin e mbikalimeve për këmbësorët, gjelbërimin e segmentit rrugor, realizimin e sistemit të ndriçimit rrugor, si dhe përmirësimin e shtresave asfaltike në segmentin nga Sheshi Shqiponja deri në pikën e lidhjes me autostradën e re. Gjithashtu, do të realizohen edhe punime të tjera të parashikuara në projekt.
Gjatë zhvillimit të punimeve, në zbatim të planit të menaxhimit të trafikut, do të bëhet devijimi i përkohshëm i njërës prej korsive të qarkullimit, duke garantuar vijimësinë e lëvizjes së mjeteve në korsitë e tjera të disponueshme.
Kontraktori ka marrë masat e nevojshme për organizimin e trafikut, vendosjen e sinjalistikës së përkohshme dhe zbatimin e të gjitha masave të sigurisë rrugore, me qëllim garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës dhe të personelit që në kantier.
Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve gjatë zhvillimit të punimeve, si dhe respektimin e sinjalistikës së përkohshme dhe udhëzimeve të punonjësve në terren”, njofton ARRSH.