Rajon
Radoiçiç arratiset drejt Rusisë? Si u largua nga Serbia “terroristi” i Banjskës?
Milan Radoiçiç dyshohet se është larguar nga Serbia dhe mund të jetë vendosur në Rusi, pavarësisht masës së sigurisë që i ndalonte daljen nga territori serb. Deklarata vjen nga ish-inspektori i pavarur i Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Milan Zvezdanoviç, i cili pretendon se ka siguruar informacione nga burime brenda agjencisë.
Në një intervistë për televizionin N1, Zvezdanoviç tha se largimi i Radoiçiçit ka shkaktuar shqetësim edhe në radhët e drejtuesve të lartë të BIA-s, për shkak të lidhjeve të pretenduara të disa prej tyre me të. Sipas ish-inspektorit, për sa kohë Partia Përparimtare Serbe (SNS) ishte në pushtet, Radoiçiç nuk kishte nevojë për leje për t’u larguar nga vendi.
Largimi i tij ngre pikëpyetje, pasi Radoiçiç ishte nën hetim për sulmin e armatosur në Banjskë të Kosovës, më 24 shtator 2023. Gjykata i kishte sekuestruar pasaportën dhe i kishte vendosur detyrimin të paraqitej në polici dy herë në muaj, më datat 1 dhe 15.
Televizioni N1 raporton se ende nuk ka marrë një përgjigje nga Gjykata e Lartë nëse Radoiçiç i ka respektuar rregullisht këto detyrime.
Radoiçiç ka pranuar përmes avokatëve se kishte organizuar personalisht sulmin në Banjskë, ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Në atë kohë ai mbante postin e nënkryetarit të Listës Serbe, nga i cili dha dorëheqjen pas ngjarjeve.