✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

“Gangsterë të vërtetë”/ Berisha sulmon Gjiknurin për reformën zgjedhore dhe paralajmëron Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar mazhorancën për shkelje të marrëveshjes së funksionimit të komisionit bipartizan për reformën zgjedhore, duke vendosur në shënjestër kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësuesin e tij në këtë proces, Damian Gjiknuri.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha deklaroi se përcaktimi i njëanshëm i agjendës së komisionit bie ndesh me vendimin e Parlamentit, pasi sipas tij, çdo palë ka të drejtën e vetos dhe asnjë vendimmarrje nuk mund të merret pa dakordësinë e të dyja palëve.

Kryedemokrati kërkoi që reforma zgjedhore të nisë nga adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit dhe ato paraardhëse. Ai iu referua edhe raporteve të Komisionit Europian, duke pretenduar se rekomandimet ndërkombëtare nuk janë trajtuar nga autoritetet shqiptare.

Berisha akuzoi Gjiknurin dhe përfaqësuesit e mazhorancës se po përpiqen të përcaktojnë rregullat e procesit në mënyrë të njëanshme, ndërsa paralajmëroi se opozita nuk do të pranojë një reformë të hartuar pa konsensus.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij ia kushtoi bashkimit të opozitës. Berisha ftoi të gjitha partitë opozitare të përfshihen në proces, duke deklaruar se PD është e gatshme të marrë parasysh shqetësimet e tyre dhe të vendosë interesin e përbashkët mbi atë partiak.

Ai rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen për listat plotësisht të hapura, si një nga kërkesat kryesore të demokratëve për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Advertisement