✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

“Me Ramën zgjedhje nuk ka”, Berisha shpall kushtet e PD-së: lista 100% të hapura

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë publike kushtet që opozita kërkon të përfshihen në reformën zgjedhore, duke kërkuar ndryshime të thella në mënyrën e organizimit dhe administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha kërkoi lista 100% të hapura, një institucion zgjedhor me të drejta të barabarta për të gjitha forcat politike dhe ndarje të plotë të shtetit nga partia në pushtet.

“Me Edi Ramën, zgjedhje nuk ka”, deklaroi kreu i PD-së, duke akuzuar mazhorancën për përdorimin e institucioneve shtetërore në funksion të interesave politike. Ai kërkoi gjithashtu që partitë e mëdha të mos ndërhyjnë në votën dhe përfaqësimin e partive të vogla.

Një tjetër propozim i Berishës lidhet me ndryshimin e sistemit zgjedhor përmes balotazhit, të cilin e konsideroi si një mekanizëm që mund të garantojë përfaqësim dhe legjitimitet më të madh të rezultatit.

Kryedemokrati ngriti edhe shqetësimin për shitblerjen e votës, duke propozuar që në diskutimet për reformën të përfshihet edhe votimi i detyrueshëm. Sipas tij, manipulimi i zgjedhjeve mund të realizohet edhe përmes pagesave ndaj qytetarëve që të mos dalin në votime.

Në përfundim, Berisha u bëri thirrje partive opozitare dhe forcave që mbështesin votën e lirë të bashkohen kundër qeverisë, duke kërkuar një front të përbashkët për ndryshimin e rregullave zgjedhore.

Advertisement