Aktualitet
NUK E KAM TAKUAR AKOMA/ MISTERI I DEKLARATES DHE PER ÇFARE PO RREFEHET GRIDA DUMA
Grida Duma ka folur hapur për vetminë, mungesën e mirëkuptimit dhe çmimin emocional që, sipas saj, ka paguar për të ruajtur pavarësinë dhe forcën e karakterit. Në një rrëfim personal, ajo pranoi se tipari që të tjerët e shohin si një nga pikat e saj më të forta është njëkohësisht edhe dobësia që e ka larguar nga njerëzit.
“Pika ime e dobët është pika ime e fortë. Është njësoj si dashuria dhe urrejtja që takohen, si dashuria dhe xhelozia që takohen. Dobësia ime është forca ime. Domethënë, nuk ka nevojë të jem kaq e fortë sa jam. Gati e ktheva në mashkullore, domethënë jam shumë e fortë”, u shpreh Duma.
Ajo pranoi se të qenit vazhdimisht e fortë, e pavarur dhe e aftë për të përballuar çdo situatë ka krijuar një imazh që jo gjithmonë përputhet me atë që përjeton brenda vetes. Sipas saj, njerëzit shpesh nuk arrijnë të kuptojnë se edhe pas kësaj force ka momente vuajtjeje dhe nevojë për mbështetje.
“Më mungon empatia e të tjerëve, më mungon fakti që nuk ma kupton asnjëherë askush që vuaj”, tha ajo.
Duma nuk e fshehu as koston personale të mënyrës së saj të jetesës. Ajo pranoi se pavarësia dhe liria kanë ardhur të shoqëruara me vetminë, duke e konfirmuar këtë pa hezitim: “Absolutisht po”.
Ajo u shpreh se nuk shqetësohet më nga vëmendja publike apo komentet që mund të shkaktojnë zgjedhjet e saj, pasi mendon se e ka paguar tashmë çmimin e tyre.
“Le të jetë, nuk më merr njeri më sysh, se e kam paguar unë koston e vetes”, deklaroi Duma.
Megjithatë, ajo pranoi se do të dëshironte të ndryshonte disa gjëra në mënyrën se si ka ndërtuar jetën e saj. Sipas saj, me kalimin e kohës, njeriu mund të krijojë një imazh aq të fortë përpara të tjerëve, saqë bëhet e vështirë të dalë prej tij.
“Pa dyshim që do të doja shumë”, u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se jo çdo zgjedhje e së shkuarës do të ishte domosdoshmërisht e njëjta nëse do të kishte mundësinë ta jetonte sërish.
Në fund, Duma foli edhe për përplasjen mes asaj që ndien se duhet të bëjë dhe asaj që dëshiron vërtet. Një konflikt që, sipas saj, ka shoqëruar jetën e saj dhe që lidhet me pamundësinë për të përjetuar një dëshirë të çliruar nga detyrimi.
“Unë e dua atë që duhet, megjithatë ka momente që nuk është nevoja të jetë gjithmonë në të njëjtën trajektore. Duhet dhe dua gjithë kohën, mund të jetë edhe vetëm dua, pa duhet. Dhe këtë gjë unë nuk e kam takuar akoma në jetën time. Vetëm dua, nuk e kam takuar”, përfundoi Grida Duma.
Një rrëfim ku forca dhe dobësia, liria dhe vetmia, dëshira dhe detyrimi shfaqen si dy anë të së njëjtës përvojë personale.