Rajon
Vuçiçit i fikin mikrofonin në Kuvend, presidenti largohet nga salla
Një përplasje e pazakontë është regjistruar në Kuvendin e Serbisë, ku presidentit Aleksandar Vuçiç iu ndërpre fjala pasi drejtuesi i seancës, Aleksandar Çupiç, i fiku mikrofonin për shkak të përfundimit të kohës së lejuar për replikë.
Incidenti ndodhi pasi deputetja Sara Valentik kërkoi fjalën dhe Vuçiç kërkoi të drejtën e replikës. Teksa presidenti po fliste, pas dy minutash Çupiç ndërpreu mikrofonin, duke i bërë me shenjë se koha e tij kishte përfunduar.
Pamjet e transmetuara nga kamerat e sallës tregojnë momentin kur drejtuesi i seancës i fik mikrofonin Vuçiçit dhe i tregon orën për t’i kujtuar kufirin kohor.
Presidenti serb reagoi duke mos pranuar të vijonte fjalën pa mikrofon. Pas duartrokitjeve në sallë, ai mblodhi sendet personale, u ngrit nga vendi dhe u largua nga Kuvendi.
Ngjarja është publikuar nga mediat serbe dhe ka tërhequr vëmendjen për mënyrën se si u ndërpre fjala e presidentit gjatë seancës parlamentare