✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

KRYEMINISTRI RAMA PREMTON KREDI PA INTERES PER BANESA QE SHQIPTARET NUK I BLEJNE DOT

Gjergj V. Mjeda

Qeveria e Edi Ramës ka prezantuar një program të ri strehimi, duke premtuar kredi pa interes dhe ndihmë për pagesën e qirave. Por ka një problem të madh. Qeveria premton t’i ndihmojë shqiptarët të blejnë shtëpi, ndërkohë që çmimet e apartamenteve janë shumë më të larta sesa mundësitë e tyre financiare.

Sipas anketës SecuriMeter 2026, të publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, vetëm 3.6% e shqiptarëve janë të kënaqur me mundësinë për të gjetur një banesë me çmim të përballueshëm. Ky është rezultati më i keq në Ballkanin Perëndimor. Në Maqedoninë e Veriut kjo shifër është 16.1%, në Serbi 28.6%, në Mal të Zi 30.9%, në Kosovë 33.7% dhe në Bosnjë-Hercegovinë 35.5%.

Pas më shumë se 13 vitesh në pushtet, qeveria socialiste drejton vendin ku qytetarët janë më të pakënaqurit në rajon me mundësinë për të siguruar një shtëpi. Dhe përballë këtij problemi, qeveria ka zgjedhur të japë kredi më të lira, pa zgjidhur problemin kryesor, çmimin e lartë të banesave.

Në shtator 2026, Rama premtoi 2,000 kredi me interes zero për apartamente nën 60 mijë euro, 2,000 kredi me interes 3% për apartamente mbi këtë vlerë dhe ndihmë për pagesën e qirasë për 3,000 familje.

Por çfarë apartamenti mund të blejë një shqiptar me 60 mijë euro? Dhe, më e rëndësishmja, a ka në treg apartamente me këtë çmim?

Sipas Entit Kombëtar të Banesave, në dhjetor 2024 çmimi mesatar i një apartamenti në Bashkinë Tiranë ishte 124,316 lekë për metër katror. Me këtë çmim, një apartament 70 metra katrorë kushton rreth 8.7 milionë lekë, ose afërsisht 97 mijë euro, me kursin e përdorur në këtë përllogaritje.

Pra, edhe sipas të dhënave të vetë shtetit, një apartament 70 metra katrorë kushton rreth 37 mijë euro më shumë sesa kufiri prej 60 mijë eurosh i programit të qeverisë.

Madje, ky është vetëm çmimi mesatar i publikuar nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin 2024. Në tregun e sotëm është e vështirë të gjesh apartamente me rreth 1,380 euro për metër katror.

Në disa zona të Tiranës, diferenca është edhe më e madhe. Sipas çmimeve të referencës që përdor shteti për taksat, ka zona ku një metër katror vlerësohet me 202,400 lekë, ose rreth 2,300 euro, dhe zona të tjera ku arrin në 228,400 lekë, ose rreth 2,500 euro.

Me këto çmime, 60 mijë euro mjaftojnë vetëm për një apartament prej 24 deri në 26 metrash katrorë.

Edhe pse këto nuk janë domosdoshmërisht çmimet reale të shitjes, ato tregojnë se edhe sipas vlerave që përdor vetë shteti, shuma prej 60 mijë eurosh është shumë e ulët për të blerë një apartament familjar në Tiranë.

Por problemi nuk është vetëm çmimi i shtëpive. Është edhe paga e shqiptarëve.

Sipas INSTAT, në fillim të vitit 2026 paga mesatare bruto ishte 90,119 lekë në muaj. Një çift ku të dy punojnë dhe marrin pagën mesatare fiton rreth 180 mijë lekë bruto në muaj.

Për të blerë një apartament prej 97 mijë eurosh, nëse banka kërkon që blerësi të paguajë vetë 20% të çmimit, çiftit i duhen rreth 19,400 euro kursime.

Ku do t’i gjejë një familje këto para, kur çdo muaj duhet të paguajë ushqimin, dritat, ujin, transportin dhe shpenzimet e tjera?

Një çift i ri, me një pagë mesatare prej 800 eurosh secili, sipas të dhënave të INSTAT më shumë se gjysma e parave i shkon për të paguar shpenzimet për ushqim dhe faturat bazike, drita dhe uji, pa llogaritur qiranë e banesës.

Këto shpenzime e bëjnë gati të pamundur që ata të kenë kursime të mjaftueshme për të paguar vetë kapitalin minimal prej 19,400 eurosh për bankën, që të përfitojnë pjesën tjetër të kredisë.

Kredia pa interes mund t’ia ulë këstin mujor, por nuk ia ul çmimin e apartamentit. Dhe mbi të gjitha, nuk ia siguron paratë që banka mund t’i kërkojë përpara se t’i japë kredinë.

Kështu, programi rrezikon të ndihmojë më shumë ata që kanë tashmë kursime, sesa familjet që nuk kanë mundësi të blejnë një shtëpi. Me fjalë të tjera, nga ndihma e shtetit mund të përfitojnë më lehtë ata që kanë para, ndërsa ata që kanë më shumë nevojë mund të mbeten jashtë.

As për ata që jetojnë me qira situata nuk është më e mirë.

Banka e Shqipërisë ka konstatuar se qiratë u rritën me 7.7% në janar dhe shkurt 2026. Një nga arsyet është se në treg ka pak banesa që jepen me qira afatgjatë.

Ndërkohë, qeveria premton të paguajë gjysmën e qirasë për 3,000 përfitues, por ndihma nuk mund të jetë më e lartë se 200 euro në muaj.

Nëse një familje paguan 400 euro qira, shteti mund t’i mbulojë 200 euro. Por nëse qiraja është 600 euro, familjes i mbeten përsëri 400 euro për të paguar nga xhepi.

Problemi është se qeveria nuk ka treguar sa apartamente në Tiranë jepen me qira për 400 euro ose më pak. Pra, ka vendosur sa para do të japë, por nuk ka treguar nëse kjo shumë përputhet me çmimet që qytetarët gjejnë në treg.

Në vend që të sigurojë më shumë banesa me çmime të përballueshme, shteti po premton të paguajë një pjesë të faturës së atyre që arrijnë të gjejnë një banesë.

Një tjetër problem është se kush do të përfitojë nga ky program.

Kreditë e reja janë prezantuar kryesisht për çiftet e reja. Por në Shqipëri ka edhe mijëra njerëz beqarë që punojnë, paguajnë taksa, jetojnë me qira dhe nuk kanë asnjë shtëpi në pronësi.

Pse duhet të kenë më pak mundësi për të marrë ndihmë nga shteti vetëm sepse nuk janë të martuar? Qeveria ende nuk ka sqaruar plotësisht nëse edhe këta qytetarë do të mund të përfitojnë nga programi.

Rama ka deklaruar se gjatë viteve 2018–2026 janë ndihmuar 30,904 familje përmes programeve të strehimit. Por kjo shifër, e dhënë si një total, nuk tregon sa familje kanë marrë një shtëpi, sa kanë përfituar kredi me interes të ulët dhe sa kanë marrë vetëm ndihmë të përkohshme për qiranë.

Ligji fillimisht u vendoste ndërtuesve një kuotë prej 3 përqind të apartamenteve që duhet të shkonin për bashkinë si kontribut social, në mënyrë që ajo t’ua shpërndante familjeve që kishin nevojë për strehimin.

Më vonë, qeveria ndryshoi ligjin dhe lejoi ndërtuesit që ta paguanin në vlerë monetare këtë kuotë. Vlera e pagesës për metër katror që ndërtuesit i paguanin Bashkisë së Tiranës ishte shumë më e vogël se sa vlera me të cilën ata shisnin apartamentet.

Me paratë e mbledhura bashkia do të ndërtonte banesa sociale, por nuk ka një shifër se sa banesa sociale ka ndërtuar Bashkia me taksën që u ka marrë ndërtuesve.

Pas 13 vitesh në pushtet, qeveria duhet të japë llogari jo vetëm për sa programe ka shpallur, por edhe për atë që ka arritur të bëjë. Sa shtëpi me çmime të përballueshme janë ndërtuar? Sa familje kanë zgjidhur përfundimisht problemin e strehimit? Dhe sa të tjera vazhdojnë të paguajnë qira sepse nuk kanë mundësi të blejnë?

Të japësh kredi më të lira nuk do të thotë se ke ulur çmimet e apartamenteve. Të paguash një pjesë të qirasë nuk do të thotë se ke krijuar më shumë banesa. Përkundrazi, kur ka pak banesa me çmime të përballueshme, dhënia e më shumë parave për blerje apo qira, pa shtuar numrin e banesave, mund t’i rrisë edhe më shumë çmimet.

Kjo është kontradikta e programit të Edi Ramës: qeveria u premton shqiptarëve kredi më të lira për shtëpi që shumë prej tyre nuk kanë mundësi t’i blejnë.

Në fund, edhe ky program rrezikon të mbetet një tjetër premtim me çelësa në dorë dhe shifra përfituesish në konferenca shtypi, ndërsa njerëzit që punojnë çdo ditë, paguajnë taksa dhe përpiqen të kursejnë për një shtëpi mund të vazhdojnë të mbeten me qira.

Advertisement