Aktualitet
SHQIPERIA PERFITON SHTESE NGA FONDET PER BALLKANIN
Shqipëria pritet të përfitojë 15% më shumë fonde nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të një vendimi për rishpërndarjen e financimeve drejt vendeve që kanë shënuar më shumë përparim në zbatimin e reformave.
Sipas raportimit të Politico Europe, Shqipëria dhe Mali i Zi pritet të përfitojnë nga një rritje prej 15% e financimeve, ndërsa Maqedonia e Veriut do të marrë 10% më shumë.
Komisioni Evropian e konsideron përmbushjen e reformave si kusht kryesor për përfitimin nga fondet. Rregullat e mekanizmit parashikojnë shprehimisht mundësinë e reduktimit të financimeve për vendet që nuk plotësojnë kushtet dhe rishpërndarjen e tyre te përfituesit e tjerë që kanë përmbushur angazhimet.
Sipas Komisionit Evropian, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ka një fond total prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027, nga të cilat 2 miliardë euro janë grante dhe 4 miliardë euro kredi të favorshme.
Rishpërndarja e re sinjalizon se përfitimi nga fondet evropiane do të lidhet gjithnjë e më shumë me rezultatet konkrete të reformave dhe përmbushjen e detyrimeve të ndërmarra nga secili vend.