✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

“PROTESTAT DËSHTUAN” Manja komenton tubimet e opozitës dhe paralajmëron

Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, ka mbrojtur në Kuvend dy aktet normative që lidhen me zhvillimin e tubimeve dhe përgjegjësinë për dëmet e shkaktuara gjatë protestave. Sipas tij, këto ndryshime synojnë të ndëshkojnë aktet e dhunës dhe jo të kufizojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.

Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Manja kundërshtoi pretendimet e opozitës se aktet normative janë në kundërshtim me Kushtetutën. Ai argumentoi se miratimi i tyre është i nevojshëm për të parandaluar përsëritjen dhe përshkallëzimin e episodeve të dhunshme gjatë tubimeve.

Deputeti socialist komentoi edhe protestën e paralajmëruar për 28 nëntorin, duke iu referuar tubimeve të zhvilluara në qershor dhe tetor. Sipas Manjës, ato protesta dështuan pasi qytetarët nuk mbështetën dhunën.

Pjesë nga fjala e Ulsi Manjës në Kuvend:

“Ne shqyrtojmë sot 2 akte normative, që rregullojnë 2 çështje të ndryshme me një qëllim, të dënojnë dhunën dhe jo lirinë e protestave paqësore në këtë vend. Këto 2 akte normative synojnë të ndëshkojnë dhunën dhe jo lirinë e protestave paqësore në vend.

Protestat paqësore janë të garantuara në Kushtetutë që në ditën kur ne rrëzuam diktaturën.

Një grusht njerëzish në atë protestë i dhanë të drejtë vetes dhe u vetëdeklaruan si patriotë, përcaktonin kush ishte patriot dhe kush ishte armik, kush duhet të ishte në pushtet dhe jo, kush duhet të jetonte dhe kush duhet të vdiste, dhe kësaj gjuhe urrejtjeje, këtij helmi që prodhuan protestat e qershorit, nuk i shpëtoi askush, jo vetëm personat publikë dhe familjarët e tyre, por as qytetarët e zakonshëm që u distancuan e që nuk mendonin si këta që protestonin dhe që nuk e di nga e morën urdhrin, nga lart mbase, se këta ishin shumica në këtë vend, kur në fakt shumica e heshtur e këtij vendi ishin ata që nuk e mbështetën dhunën.

Protesta, si e qershorit dhe e tetorit, dështuan se qytetaria e Tiranës dhe e Shqipërisë nuk është me dhunën në këtë vend.

Edhe protesta e paralajmëruar më 28 nëntor, këtu do të jemi dhe do ta shohim nëse do t’i bashkohet qytetaria e Tiranës dhe e Shqipërisë kësaj proteste, apo do t’i braktisin e do t’i lënë në shesh si që në qershor. Mbase në atë ditë ne do të festojmë Ditën e Pavarësisë, ju do të festoni 12-vjetorin e tortës së Lulit, mbetet ta shohim.

A mundet t’u përgjigjet sfidave të sigurisë të vitit 2026 shteti dhe Policia e Shtetit me instrumentet ligjore të 2001-shit? Sigurisht që jo. Sepse 25 vjet më parë, kur ne miratuam ligjin për tubimet, nuk ekzistonin rrjetet sociale, as mobilizimi digjital i njerëzve të dhunës, as thirrjet për dhunë nuk mund të shpërndaheshin në kohë reale. Prandaj ne sot vijmë me këto 2 akte normative, i pari parashikon disa shtesa në ligjin për tubimet të vitit 2021 dhe i dyti synon të garantojë një parim shumë të rëndësishëm: kush dëmton, paguan.

Këtu vijmë tek aspekti kushtetues, se diskutohet që këto 2 akte bien në kundërshtim me Kushtetutën.

Jo, neni 17 i Kushtetutës e thotë shumë qartë, kufizimi i të drejtave dhe lirive mund të vendoset me ligj vetëm për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.

Kur vijmë te të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, është e drejta e jetës, shëndeti dhe e drejta e pronës private dhe publike, edhe këto garantohen në Kushtetutë.

Siç garanton Kushtetuta protestat dhe tubimet paqësore, por duhet të bëhet sipas procedurave të parashikuara në ligj. Në aktin normativ ne themi që policia nuk duhet të zgjedhë midis lirisë së protestës dhe sigurisë së qytetarëve, policia duhet t’i garantojë të dyja.

Nuk mundet që dhuna që ushtrohet në protestë të kufizojë apo të ndëshkojë disa të drejta që po kjo Kushtetutë i ka garantuar për qytetarët.

Qytetari ka të drejtë të protestojë, por ka dhe një qytetar tjetër që do të jetojë i sigurt në këtë vend, t’i garantohet prona, etj.

Pse me akt normativ, pyesin kolegët?

Neni 101 i Kushtetutës e lejon Këshillin e Ministrave që, në rast nevoje e urgjence, të nxjerrë akte nën kontrollin e Kuvendit dhe me miratim brenda 45 ditëve. Akti normativ është i përkohshëm në kuptimin që brenda 45 ditëve duhet të marrë dritën jeshile në Kuvend. Pasi merr dritën jeshile në Kuvend, përkohshmëria është vetëm në kuptimin e votës që duhet të marrë në Kuvend.

Ju bëj thirrje ta votoni.

Ku është urgjenca? Urgjenca lidhet me rrezikun e përsëritjes dhe përshkallëzimit të kësaj dhune.

Ka një ditë kur ndahet se kush është shumica në këtë vend, dita e zgjedhjeve.

Kritika ndaj qeverisë nuk është dhunë, kundërshtimi politik i qeverisë nuk është dhunë, protesta paqësore nuk është dhunë. Ajo që ka ndodhur në qershor në rrjetet sociale me stigmatizimin e atyre që nuk mendonin si ata dhe dhuna mbi pronën publike e private, është dhunë që do të ndëshkohet sipas ligjit me këto 2 akte.

Nuk jemi të vetmit që e ndërmorëm këtë nismë. Italia, Franca dhe Spanja, që janë ndër vendet themeluese të BE-së, që kanë po sot të njëjtin hall, nuk i kemi kopjuar mekanikisht ndryshimet që pasqyrojmë në aktin normativ”.

Advertisement