Politike
“2027 MUND TË JETË VITI I SHQIPËRISË!” Marta Kos jep mesazhin për anëtarësimin në BE
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke deklaruar se vendi ka bërë hapa të rëndësishëm gjatë vitit të fundit. Gjatë fjalës në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian në Tiranë, ajo theksoi se Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave brenda 13 muajve, ndërsa katër kapituj janë mbyllur deri tani.
Kos u shpreh se deri në fund të vitit pritet të mbyllet pothuajse një e katërta e kapitujve të negociatave, duke shtuar se viti 2027 mund të jetë një moment vendimtar për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit.
Megjithatë, komisionerja theksoi se përparimi në letër nuk mjafton. Sipas saj, sfida kryesore mbetet zbatimi konkret i reformave, funksionimi i institucioneve dhe respektimi i ligjit në praktikë. Ajo veçoi luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përafrimin me legjislacionin europian për mjedisin, si fusha ku vendet anëtare do të kërkojnë rezultate të matshme.
Një tjetër pikë e rëndësishme, sipas Kos, është mënyra se si autoritetet shqiptare u përgjigjen hetimeve, edhe kur ato përfshijnë persona me pushtet. Ajo nënvizoi se pavarësia e institucioneve dhe llogaridhënia janë prova thelbësore për besimin e vendeve anëtare dhe për përmbylljen me sukses të negociatave.
Komisionerja u bëri thirrje gjithashtu partive politike dhe shoqërisë që të bashkëpunojnë për procesin e integrimit, duke theksuar se mbështetja e lartë e qytetarëve shqiptarë për anëtarësimin në BE përbën një avantazh që duhet ruajtur përmes përfshirjes dhe transparencës.