Aktualitet
ÇDO INDICIE KORRUPSIONI DREJT SPAK-ut? BKH DHE ANTIKORRUPSIONI BASHKOJNË FORCAT
Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit kanë bashkuar zyrtarisht forcat për identifikimin e rasteve të dyshuara të korrupsionit dhe referimin e tyre pranë SPAK-ut.
Marrëveshja e bashkëpunimit u firmos këtë të enjte nga drejtori i BKH-së, Joni Keta, dhe drejtori i DPAK-së, Skerdi Tushi. Në fokus të saj është shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi mes dy institucioneve për evidentimin në kohë të praktikave që mund të përbëjnë vepra penale.
Sipas marrëveshjes, në rastet kur gjatë kontrolleve administrative evidentohen indicie për shkelje me natyrë penale, informacioni do t’u përcillet organeve kompetente për hetim të mëtejshëm, përfshirë SPAK-un kur çështja është në juridiksionin e tij.
Bashkëpunimi parashikohet në kuadër të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024–2030 dhe synon gjithashtu përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Europian për forcimin e koordinimit mes institucioneve antikorrupsion dhe organeve ligjzbatuese.