Politike
“Sa mirë mund ta njohësh partnerin…në krim?”/ Saimir Tahiri nxjerr përgjimet e 2014: Kryeministri…
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është rikthyer në rrjetet sociale me një mesazh ironik, duke risjellë në vëmendje përgjimet dhe akuzat që e shoqëruan gjatë përballjes me drejtësinë.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka zgjedhur të tallet me pretendimet e ngritura ndaj tij ndër vite, duke iu referuar bisedave të përgjuara ku përmendej edhe emri i tij.
“Sa mirë mund ta njohësh partnerin… në krim? Mua për shembull, grupi im kriminal më kishte emëruar kryeministër, promovim që e mora vesh vetëm nga përgjimet… Work in progress…”, shkruan Tahiri.
Ironia e ish-ministrit vjen në një moment kur ai ka paralajmëruar edhe rikthimin në publik përmes një dokumentari, ku pritet të tregojë versionin e tij për akuzat, karrierën politike dhe përballjen disa vjeçare me drejtësinë.
Ndërkohë, më 10 dhjetor, Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë rekurset e Tahirit dhe të SPAK. Ish-ministri kërkon pafajësinë, ndërsa Prokuroria e Posaçme kërkon dënimin e tij me 12 vite burg për akuzat që lidhen me trafikun e narkotikëve dhe grupin e strukturuar kriminal.
Rikthimi i tij në komunikimin publik vjen në një periudhë kur politika shqiptare po përballet me zhvillime të forta dhe akuza të ndërsjella, ndërsa deklaratat e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj kanë rikthyer në vëmendje çështje të shumta që lidhen me qeverisjen.