Aktualitet
HELM NËPËR FAST-FOOD-E? Sufllaqe me mish të kalbur, shtypej në dysheme me këmbë
Rreth dy tonë produkte mishi janë bllokuar nga autoritetet në subjektin “R Sauli”, i cili furnizonte me mish për gjiro dhe sufllaqe fast-food-e në Fier, Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Ndërhyrja erdhi pas një investigimi të nisur nga denoncimet për mish të dyshuar si të kalbur dhe kushte të rënda higjienike në ambientet e përpunimit.
Pamjet e publikuara kanë zbuluar një situatë alarmante: mish dhe gjiro të vendosura në dysheme, produkte të lëna nëpër vaska dhe punonjës që përpiqeshin t’i fshihnin ato duke i shtyrë me këmbë.
Në një komunikim telefonik, pronari Renald Sauli ka pranuar se furnizohej me mish të dorës së dytë në Elbasan dhe zona të tjera, ndërsa nga kompania “King Meat” blinte rrallë për shkak të çmimit të lartë.
Me urdhër të prokurorit Kristi Jorgji, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë kryer verifikime në ambientet e subjektit. Por edhe gjatë ndërhyrjes nuk kanë munguar pengesat, pasi fillimisht u hasën vështirësi për të hyrë në ambient dhe u konstatuan përpjekje për pastrimin e tij.
Pronari mbërriti rreth një orë më vonë. Ai mbante edhe funksionin e përgjegjësit teknik dhe pranoi se mungesa e tij gjatë procesit të përpunimit përbënte shkelje.
Por skandali ngre edhe një tjetër pikëpyetje: ku ishte kontrolli institucional? Sipas AKU-së, biznesi ishte inspektuar në gusht të vitit 2026 dhe në atë kohë nuk ishin konstatuar probleme. Vetëm tre muaj më vonë, në të njëjtat ambiente u bllokuan rreth dy tonë produkte mishi.
Prokuroria e Fierit ka regjistruar procedimin penal nr. 2171/2026 për veprën penale të prodhimit dhe tregtimit të ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën. Ndërkohë, analizat laboratorike do të përcaktojnë nëse mishi i sekuestruar përbënte rrezik për konsumatorët.