✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Shqipëria përkujton 82-vjetorin e Çlirimit, homazhe te Varrezat e Dëshmorëve

Shqipëria përkujton këtë 29 nëntor 82-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. Në Tiranë pritet të zhvillohet ceremonia përkujtimore te Varrezat e Dëshmorëve, ku përfaqësuesit më të lartë të shtetit do të vendosin kurora me lule pranë monumentit “Nëna Shqipëri”, në nderim të të rënëve për lirinë e vendit.

Kryeministri Edi Rama ka përcjellë urimin e tij për këtë ditë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar një fotografi të memorialit “Nëna Shqipëri”.

Dita e Çlirimit vijon të shënohet mes ndasive politike. E majta e përkujton 29 Nëntorin si datën zyrtare të Çlirimit, ndërsa e djathta e lidh këtë përvjetor me 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë.

Shqipëria u çlirua nga pushtimi nazist më 29 nëntor 1944, pas pesë vitesh pushtimi që nisën me agresionin fashist italian të 7 prillit 1939. Pas kapitullimit të Italisë në vitin 1943, vendi u pushtua nga forcat gjermane.

Lufta Nacionalçlirimtare kulmoi në nëntor 1944. Tirana u çlirua më 17 nëntor, ndërsa çlirimi i Shkodrës më 29 nëntor shënoi përfundimin e pushtimit gjerman në Shqipëri.

82 vite më pas, kjo datë mbetet një prej momenteve më të rëndësishme të historisë shqiptare dhe një ditë përkujtimi për të gjithë ata që dhanë jetën për çlirimin e vendit.

Advertisement