✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

I riu dëmtohet me plumb gome në sy: Sapo mbarova bisedën me mamanë në telefon…

Një tjetër i ri ka mbetur i dëmtuar në sy gjatë protestës së dhunshme të zhvilluar më 28 Nëntor në Tiranë. Bëhet fjalë për Saimir Dinen, nga Vlora, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës, ku po merr ndihmën mjekësore.

Sipas informacioneve paraprake, të pakonfirmuara zyrtarisht, i riu mund të ketë nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale pas disa ditësh.

Duke rrëfyer momentin e plagosjes, Dine thotë se ishte i vetëm dhe nuk po merrte pjesë në përplasjet me policinë. Ai tregon se u godit në momentin kur sapo kishte përfunduar një telefonatë me të ëmën, pranë zonës së Operës, përballë Hotel Tiranës.

“Kam shumë dhimbje. Gjithë krahun e majtë e kam kështu, sikur po më godet me thikë. Isha vetëm, tek pull, sapo dola te trau i Hotel Tiranës. Mora mamin në telefon. Më tha ‘ku je?’. I thashë ‘jam këtu, po pi një kafe’. Ça do i thoja. Te krahu i Operës përballë, kur po flisja me nënën, sapo mbylla telefonin, më erdhi goditja. Ishte e drejtpërdrejtë si gjuajtje. Unë isha vetëm, as po godisja, as po bëja”, rrëfen ai.

Deri më tani nuk është përcaktuar se çfarë e ka shkaktuar dëmtimin në syrin e të riut, nëse bëhet fjalë për plumb gome, fishekzjarr apo goditje me ndonjë send të fortë.

Rasti i Saimir Dines rikthen në vëmendje edhe plagosjen e Erion Vishkullit, i cili u dëmtua në sy me plumb gome gjatë një proteste dhe iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale në Shqipëri dhe Itali për të shpëtuar shikimin.

Advertisement