Connect with us

Aktualitet

Edi Rama, në prezantimin e platformës “Vlerëso deputetin tënd”

Mirëdita!

 

Faleminderit shumë që jeni këtu, sot, në këtë ditë të diele, sepse kjo na ndihmon që edhe përmes pyetjeve tuaja, ne të përcjellim mesazhin e ditës së sotme, që ka të bëjë me hapjen e një procesi inovativ brenda familjes sonë politike si fillim, për vlerësimin e deputetëve dhe deputeteve të grupit tonë parlamentar nga e gjithë familja jonë politike.

 

Ne kemi zhvilluar në vijimësi një proces modernizimi të komunikimit të brendshëm të Partisë dhe me këtë rubrikë të parë hapim platformën e re dixhitale. Është një platformë inovative, e cila krijon një hapësirë të përbashkët të një komunikimi shumë të shpejtë, brenda për brenda familjes sonë politike, ku çdo anëtar dhe anëtare e kësaj familjeje ka akses përmes një çelësi personal dixhital në këtë platformë dhe mund të marrë pjesë në të gjitha proceset brenda platformës, nga vlerësimi i deputetëve dhe deputeteve që është ndërveprimi i parë, tek diskutimet e brendshme, tek proceset e ndërveprimeve, në funksion të marrjes e të shkëmbimit  në kohë reale të informacionit me qendrën, të ndjekjes së aktivitetit sipas çdo qarku, bashkie dhe organizate, përmes telefonit apo kompjuterit më të afërt dhe të pasjes së mundësisë për të adresuar drejtpërdrejtë, qoftë deputetin apo deputeten, qoftë kryetarin e partisë, qoftë strukturat e tjera, përfshirë ato të pushtetit vendor.

 

Është një hap i parë, i cili do të ndiqet nga hapa të tjerë, sipas një plani që kurorëzohet sigurisht në 25 prill. Por procesi dhe ndërveprimi vazhdon dhe përtej.

 

Ne duam që e gjithë jeta e partisë të marrë një hov të ri e të gjallërohet më tej, pa pasur nevojë për të pritur mbledhjen e radhës së organizatës, pa pasur nevojë për të pritur lajme nga kanale të tjera dhe për t’i marrë të parët, anëtarët e partisë, të gjitha lajmet që kanë të bëjnë me partinë, që kanë të bëjnë dhe me procese të lidhura me qeverisjen e sidomos që kanë të bëjnë me lajmet e rreme. Apo me informacione, të cilat ne i japim botërisht, por për të cilat, ne besojmë që çdo anëtar e anëtare e Partisë Socialiste ka të drejtën të kërkojë më shumë hesap dhe të ketë më shumë vëmendje lidhur me vërtetësinë, përmbajtjen dhe elementë të caktuar të një informacioni.

 

Kjo është e rëndësishme për një arsye të thjeshtë, sepse, në fund të fundit, këta janë njerëzit në vijën e parë. Partia Socialiste është shumë më e madhe sesa anëtarësia e saj. Partia Socialiste ka një mbështetje që shkon disafish përtej kufijve të anëtarësisë, por është anëtarësia, ajo që ka barrën të bëjë urën mes partisë dhe publikut.

 

Kjo platformë është një mekanizëm që rrit respektin për çdo anëtar e anëtare të partisë, në sensin e konkretizimit të peshës e të fuqisë së çdo anëtari e anëtareje të familjes sonë politike. Sigurisht, ky është hapi i parë. Ne duam që modernizimi i ndërveprimeve dixhitale të shkojë shumë më larg se kaq. Kemi një vizion afatgjatë dhe duam të përfshihen në këtë proces, jo vetëm anëtarët e partisë që janë në Shqipëri, por edhe ata që janë jashtë. Të gjithëve do t’ shkojë një letër e personalizuar, jo nëpërmjet strukturave të partisë, por me postë, me çelësin përkatës individual për të aksesuar platformën.

 

Në këtë proces, ne presim që të ketë një intensifikim edhe të komunikimit e të marrëdhënies me vetë përfaqësuesit.

Mundësia për të shfrytëzuar hapësirën që krijon teknologjia është e jashtëzakonshme dhe zhvillimi i komunikimeve, jo vetëm individualisht dhe jo vetëm me shkrim, por edhe i komunikimeve me grupe përmes video-kontakteve është një hapësirë e mrekullueshme që krijohet.

 

Ne do të bëjmë këtë proces për të dëgjuar çdo anëtar dhe anëtare partie, lidhur me deputetët dhe deputetet në qarkun e vet. Çdo anëtar dhe anëtare partie do të japë një vlerësim me pikë nga 1 tek 5, në mos gabohem, ku sigurisht 1 është vlerësimi më i ulët, 5 është vlerësimi më i lartë, për si e sheh çdo deputet dhe deputete pas kësaj periudhe përfaqësimi, i bazuar në mbështetjen që aiajo ka dhënë, bashkë me të tjerët sigurisht, anëtarë dhe anëtare të Partisë Socialiste.

 

Këto vlerësime do të na ndihmojnë shumë, për të kuptuar nivelin e marrëdhënieve mes deputetëve dhe anëtarëve të partisë. Do të na ndihmojnë shumë edhe për krijimin e skuadrës që do fitojë në 25 prill.

 

Nuk dua të përziej lajmet e as të bashkoj hapat, por në ditët në vijim, ne do të hapim një proces tjetër, i cili do të jetë përsëri përmes platformës së Partisë Socialiste, por do të jetë i ndarë në dy grupe, pra, jo vetëm për anëtarësinë e Partisë Socialiste, por të gjithë publikun, lidhur me deputetët që njerëzit duan. Këtu nuk do të shohim krahë, nuk do të shohim kush është kush, do t’i japim mundësi të gjithëve që të japin opinione lidhur me figura, të cilat gëzojnë respekt, tërheqin vëmendje, kanë mbështetje në komunitete të ndryshme, sipas kategorive të ndryshme, për të pasur një mundësi vlerësimi dhe gjykimi në shkallë të gjerë e për të mos e lënë përzgjedhjen e skuadrës së re thjeshtë e vetëm në kanalet tradicionale të marrjes së informacionit dhe të marrjes së propozimeve.

 

Do të jetë një proces i hapur, që do ta ndjekim me shumë seriozitet. Një proces që do të na krijojë një zgjedhje më të gjerë, duke qenë në kushtet kur  me votimin e nesërm në Kuvendin e Shqipërisë, ne sanksionojmë listat e hapura e duke qenë në kushtet, kur me listat e hapura, të gjithë kandidatët në listë janë potencialisht të zgjidhshëm, deputetë dhe deputete, atëherë na duhet që minimalisht ta dyfishojmë skuadrën. Sot kemi një skuadër me 74 deputetë dhe tradita me listat e mbyllura ka  qenë që vëmendja kryesore ishte tek pjesa fituese, ose potencialisht fituese, ndërsa pjesa tjetër ishte më shumë një pjesë e listës ku ne përpiqeshim të vlerësonim, të promovonim figura të caktuara, njerëz të rinj. Por patjetër që e dinim që nuk ishin të zgjidhshëm, në sensin e mundësisë për të hyrë në Kuvend, ashtu sikundër e dinin dhe ata.

 

Sot, kjo ndryshon rrënjësisht. Ne duam të jemi sa më të përputhur me ndjesinë dhe me pritshmërinë e opinionit në çdo qark, lidhur me skuadrën që do të nxjerrim në fushë. Është shumë e rëndësishme të bëjmë vlerësimin e deputetëve aktualë, për të pasur qartësi të plotë dhe jo thjesht një vlerësim nga qendra apo nga Tirana, mbi si njerëzit atje e shohin secilin dhe secilën. Besoj se kjo do të na ndihmojë shumë e do të ndihmojë secilin për të pasur shumë më tepër vetëdije dhe përgjegjësi në raport me çdo anëtar e anëtare të Partisë Socialiste, që ka në dorë të të vërë një notë.

 

Do të jetë një vlerësim konfidencial, i fshehtë, i garantuar plotësisht në raport me çdonjërin, në mënyrë që gjithsekush ta bëjë vlerësimin e vet pa pasur asnjë ndjesi pasigurie se vlerësimi i tij apo i saj do të shihet nga ata që do të vlerësohen e kjo mund të krijojë problem, në aspektin shoqëror flas. Do të jetë një vlerësim që pastaj do të merret e do të analizohet në mënyrë të drejtpërdrejtë me vetë deputetët.

 

Afati që kemi lënë për këtë është një afat besoj i arsyeshëm, duke pasur parasysh që bëhet fjalë për një praktikë krejt të re nga pikëpamja edhe e mënyrës dhe duke pasur eksperiencën me zhvillimet dixhitale, që shumë shpesh, pavarësisht se njerëzit e kanë shumë të thjeshtë, inercia dhe zakoni i pengojnë që të përdorin shërbimet dixhitale, i pengojnë që të përdorin aksesin e shpejtë në platformat dixhitale dhe pavarësisht se numri i përgjithshëm i ndërveprimeve mes qytetarëve dhe shërbimeve dixhitale është rritur shumë e rritet çdo ditë, ka plot akoma që vazhdojnë shkojnë për t’i marrë këto shërbime, duke ecur në këmbë, çka nuk është e nevojshme. Ka plot akoma që i kërkojnë këto shërbime duke kapur njërin e tjetrin, gjë që nuk është e nevojshme. Këto shërbime kanë të mirën që janë komplet të pamanipulueshme e nuk janë subjektive, në sensin që bën një kërkesë, ke një afat e nëse afati nuk zbatohet për ty, ata persona që janë përgjegjës për këto shërbime dalin zbuluar sepse i nxjerr kompjuteri.

 

Afatin që do të lëmë në këtë proces do të jetë fleksibël. Ne kemi vendosur një afat paraprak, fundin e nëntorit. E ndërkohë e gjithë struktura do të angazhohet që t’i nxisim anëtarët e partisë të bëjnë veprimin e tyre. Kjo do kërkojë kohën e vet, por besoj që për ne është absolutisht e mjaftueshme që brenda vitit të kemi qartësi mbi skuadrën që kemi dhe mbi stolin potencial të rezervave, që duhet ta kemi sa më të gjatë e të kemi sa më shumë rezerva të reja për të futur në skuadër.

 

Dua t’i ftoj të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste të përfshihen në këtë proces. Letra e personalizuar është rrugës në një pjesë, në një pjesë tjetër po vazhdon procesi i printimit dhe i futjes në zarf. Do të vijë me postë, për të pasur sigurinë e plotë që letra mbërrin në destinacion dhe që të gjithë pa përjashtim të marrin çelësin e tyre dixhital e të mund ta fusin platformën në telefon, qoftë për të bërë këtë hap të parë, qoftë dhe për të gjitha ndërveprimet e tjera.

 

Do më lejoni që t’i jap Taulantit fjalën, për të bërë plotësime lidhur me këtë. Taulanti dhe një grup i ngritur prej një viti kanë punuar shumë fort, së bashku me të gjithë ata që vullnetarisht na kanë ndihmuar nga pikëpamja teknike për të arritur që të kemi një platformë të tillë, që është një platformë inovative shumë e dobishme, efikase, mendojmë ne, për ta çuar të gjithë jetën e partisë në një nivel tjetër.

 

 

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *