Thinking ...
Connect with us

Bota

“A ta shkatërroj Republikën Islamike?”/ Trump ashpërson tonin ndaj Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump ka përdorur fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të folur për përplasjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke mbrojtur politikën e administratës së tij ndaj Teheranit dhe duke paralajmëruar për mundësinë e një përshkallëzimi të mëtejshëm.

Trump deklaroi se, ndryshe nga administratat e mëparshme, ai ka zgjedhur të ndërmarrë veprime konkrete përballë kërcënimeve që, sipas tij, paraqiten nga Irani dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë.

“Ndërsa të tjerët kanë folur, unë kam vepruar. Ndërsa të tjerët kanë folur për paqe, unë kam bërë paqe. Ndërsa të tjerët kanë injoruar kërcënimet, unë i kam përballur ato”, tha Trump gjatë fjalimit.

Presidenti amerikan u ndal te negociatat me Teheranin, duke pretenduar se pas marrjes së detyrës i kishte ofruar Iranit bashkëpunim ekonomik në këmbim të përfundimit të programit bërthamor dhe të mbështetjes për grupet që Uashingtoni i konsideron terroriste. Sipas Trump, Teherani e refuzoi këtë ofertë.

Ai përmendi më tej operacionin amerikan “Midnight Hammer”, duke deklaruar se sulmet amerikane dëmtuan rëndë objektet bërthamore iraniane. Trump tha se edhe pas këtyre goditjeve, Irani nuk pranoi një marrëveshje të re dhe pretendoi se Teherani kishte zhvilluar kapacitete raketore me rreze të gjatë veprimi.

Në vijim të fjalimit, Trump e paraqiti situatën si një zgjedhje mes negociatave dhe një tjetër përshkallëzimi ushtarak. Ai përdori një retorikë të ashpër ndaj udhëheqjes iraniane, duke pyetur nëse Shtetet e Bashkuara duhet ta “shkatërrojnë Republikën Islamike” apo të arrijnë një marrëveshje.

Pavarësisht paralajmërimeve, Trump tha se beson se udhëheqësit iranianë do të rikthehen në tryezën e bisedimeve. Sipas tij, një marrëveshje mes dy vendeve mund të arrihet pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, që zhvillohen në nëntor.

Advertisement