Connect with us

Aktualitet

Makinat luksoze “pushtojnë” Tiranën/ Policia gjobit mbi 3 mijë drejtues në 48 orë

Muaji gusht ka sjellë në rrugët e Tiranës jo vetëm një fluks të shtuar turistësh, por edhe një numër më të madh automjetesh luksoze. Krahas vëmendjes që tërheqin këto mjete, policia ka konstatuar edhe një sërë shkeljesh gjatë qarkullimit në kryeqytet dhe në akset kryesore rrugore.

Në qendër të Tiranës janë evidentuar raste të drejtimit me shpejtësi shumë të ulët, ndërsa në autostrada janë konstatuar situata të kundërta, me drejtues që lëvizin me shpejtësi të lartë, por edhe mjete që qarkullojnë ngadalë në korsinë e parakalimit, duke penguar lëvizjen e automjeteve të tjera.

Në kuadër të kontrolleve, policia ka vendosur gjoba që variojnë nga 10 deri në 15 mijë lekë për drejtuesit që pengojnë qarkullimin për shkak të lëvizjes me shpejtësi të ulët. Mes mjeteve të ndëshkuara kanë qenë edhe automjete luksoze.

Kontrollet kanë evidentuar gjithashtu raste të qarkullimit pa siguracion, ndërsa në fokus kanë qenë edhe automjetet dhe motorët që krijojnë zhurma të forta, kryejnë manovra të rrezikshme apo xhirojnë gomat në rrugë.

Policia ka ndëshkuar edhe drejtues të mjeteve me rimorkio që bllokojnë qarkullimin, si dhe raste kur pasagjerët transportohen në kushte që nuk përmbushin kërkesat e sigurisë.

Sipas Policisë së Tiranës, vetëm gjatë 48 orëve të fundit janë vendosur 3,012 masa administrative, në kuadër të kontrolleve për rritjen e sigurisë rrugore dhe disiplinimin e qarkullimit në kryeqytet.

Advertisement