Bota
Aeroporti i Milano Malpensa merr emrin e Silvio Berlusconi-t
Aeroporti i Milanos, Malpensa, tashmë mban zyrtarisht emrin e ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi. Ceremonia e emërtimit u zhvillua më 25 shtator në Terminalin 1, ku u vendos edhe një pllakë përkujtimore në nder të ish-kryeministrit dhe biznesmenit italian.
Në ceremoni morën pjesë presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transporteve, Matteo Salvini, ministri i Jashtëm Antonio Tajani dhe presidenti i Rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana.
Ndryshimi lidhet me emrin zyrtar të aeroportit, ndërsa kodi IATA mbetet i pandryshuar, “MPX”. Për momentin nuk parashikohen ndryshime as në sinjalistikën rrugore që orienton udhëtarët drejt aeroportit.
Në ceremoninë e emërtimit ishte e pranishme edhe vajza e Silvio Berlusconit, Marina Berlusconi, e cila e cilësoi vendimin një burim krenarie dhe emocioni për familjen. Ajo tha se babai i saj ishte një njeri që kërkonte dialogun dhe shprehu dëshirën që emri i tij në aeroport të shoqërojë udhëtarët që mbërrijnë në Milano dhe ata që nisen drejt destinacioneve të tjera.
Edhe vëllai i ish-kryeministrit, Paolo Berlusconi, falënderoi autoritetet për vendimin. Ai e lidhi emërtimin e aeroportit me marrëdhënien e Berlusconit me Milanon dhe me vizionin e tij për Europën.
Vendimi për emërtimin e aeroportit është shoqëruar edhe me kundërshtime politike. Kryetari i Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, nuk mori pjesë në ceremoni. Sala ka deklaruar se kishte kundërshtuar vendimin për t’i vendosur emrin e Berlusconit aeroportit dhe se për këtë arsye zgjodhi të mos ishte i pranishëm në aktivitet.
Nga ana tjetër, Matteo Salvini shprehu keqardhje për mungesën e kryebashkiakut, duke e cilësuar ceremoninë si një moment përkujtimor për figurën e ish-kryeministrit italian.
Kështu, aeroporti kryesor i Milanos vijon të funksionojë me të njëjtin kod dhe infrastrukturë, por tashmë emri Silvio Berlusconi është pjesë zyrtare e identitetit të tij.