Bota
KA NJE ELEFANT NE DHOMEN E BASHKIMIT EUROPIAN
Kancelari gjerman Friedrich Merz solli në vëmendje zgjerimin e Bashkimit Evropian gjatë fjalës së tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, duke dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë për vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga presidenti i Malit të Zi, Merz pranoi hapur se ndihet “gjithnjë e më i parehatshëm” me mungesën e përparimit konkret në procesin e anëtarësimit.
“Duhet të rihapim një strategji të re për t’i afruar këto vende më pranë Bashkimit Evropian. Nuk dua t’ju humbasim”, deklaroi ai.
Merz e pranoi se ekziston “një elefant në dhomë”, duke iu referuar kërkesës për unanimitet mes vendeve anëtare dhe faktit që Hungaria ka bllokuar avancimin e disa kapitujve të negociatave.
“Procesi kërkon unanimitet dhe Hungaria vazhdon ta bllokojë. Por ne duhet ta kapërcejmë këtë”, u shpreh kancelari.
Ai shprehu shpresën që “pas zgjedhjeve që do të zhvillohen në prill, të mund të hapim kapituj të rinj dhe t’ju afrojmë gjithnjë e më shumë me BE-në”.
Në të njëjtën linjë, Merz theksoi se Evropa duhet të forcojë kapacitetet e saj të brendshme për të qenë më e besueshme edhe për vendet që presin anëtarësimin.
“Askush nuk na detyroi të krijonim këtë varësi të tepruar nga Shtetet e Bashkuara. Kjo varësi ishte e vetë-shkaktuar. Por tani duhet ta kapërcejmë sa më shpejt”, tha ai, duke shtuar se një BE më e fortë është në interes të vetë Gjermanisë.
“Nëse Evropa copëtohet, ne copëtohemi. Gjermania copëtohet”, paralajmëroi Merz.
Në fund të fjalës së tij, ai dha një mesazh më të gjerë për rendin ndërkombëtar, por duke e lidhur edhe me procesin evropian: partneritetet globale janë të rëndësishme, por zgjerimi i BE-së mbetet një instrument strategjik për stabilitetin e kontinentit.
Deklaratat e Merz vijnë në një moment kur Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen dy vendet më të avancuara në negociatat e anëtarësimit, ndërsa debati brenda BE-së mbi reformimin e procesit dhe heqjen e vetos është intensifikuar ndjeshëm.