Politike
“Aq para GJKKO i sekuestron nga krimi çdo vit!”/ Përplasje mes Ramës dhe Engert Pëllumbit
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj kreut të Shoqatës së Gjyqtarëve, Engert Pëllumbi, lidhur me debatin për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe deklaratën e këtij të fundit se fondet për një rritje të tillë mund të gjenden te paratë e konfiskuara nga GJKKO.
Pëllumbi, gjyqtar në Gjykatën e Posaçme të Apelit, ka argumentuar se kërkesa për rritje pagash nuk lidhet me mungesën e fondeve, por me një vendimmarrje politike të ekzekutivit. Sipas tij, shuma e kërkuar nuk do të përbënte një barrë të madhe për buxhetin e shtetit, duke iu referuar edhe parave të konfiskuara çdo vit nga GJKKO nga krimi i organizuar.
Kjo deklaratë ka sjellë reagimin e kryeministrit Rama, i cili e cilësoi të papranueshme mënyrën e argumentimit nga një gjyqtar.
“Jo, kurrë nuk mund të flasë një gjykatës kështu!”, shkroi Rama në platformën X, duke e konsideruar pretendimin se gjyqtarët mund të marrin për vete paratë që sistemi i drejtësisë mbledh si një tregues të, sipas tij, “paditurisë mbi funksionimin e shtetit”.
Rama e krahasoi këtë argument me një situatë hipotetike ku doganierët, tatimorët, policët dhe inspektorët do të kërkonin të merrnin drejtpërdrejt paratë që mbledhin nga taksat dhe gjobat.
Kryeministri ngriti gjithashtu shqetësimin për diferencën mes pagave të gjyqtarëve dhe profesioneve të tjera në sektorin publik. Sipas tij, nëse rritja e kërkuar do të pranohej pa një ndryshim ligjor, një gjyqtar fillestar do të përfitonte rreth 3.8 herë më shumë se një mësues, mjek apo ushtarak, ose një pagë 280% më të lartë.
Debati për pagat e gjyqtarëve vijon prej kohësh, ndërsa përplasja publike mes përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë dhe qeverisë është përqendruar te mënyra e financimit dhe vendimmarrja për nivelin e pagave.