✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Arbër Hajdari kandidat për Tiranën? Erion Braçe sfidon: E mirëpres!

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka komentuar kandidaturën e përfolur të Arbër Hajdarit për Bashkinë e Tiranës, duke deklaruar se është i hapur për një garë brenda partisë për përzgjedhjen e kandidatit.

I ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, në një bisedë me moderatoren Ori Nebiaj, Braçe u pyet se çfarë mendimi kishte për mundësinë që Arbër Hajdari të garojë për drejtimin e kryeqytetit.

Socialisti theksoi se nuk dëshiron të paragjykojë asnjë kandidaturë, ndërsa nënvizoi se kushdo që ka ambicie politike duhet parë si një potencial.

“Unë nuk e shoh si punën time. Në rast se do të ketë garë dhe do të jemi përballë, e mirëpres. Garë për të qenë kandidat. Habibi në Amerikë mundi fillimisht një kandidat brenda partisë së tij. Pyetjen për Arbrin po e lë mënjanë. Dua t’u flas socialistëve në radhë të parë, më pas gjithë qytetarëve të Tiranës. Cilindo që ka një ambicie e shoh si potencial”, u shpreh Braçe.

Gjatë intervistës, deputeti foli edhe për zhvillimet brenda Partisë Socialiste, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj përjashtimeve nga partia dhe duke theksuar se secili duhet të jetë i lirë të qëndrojë ose të largohet.

Braçe përmendi gjithashtu figurën e shkrimtarit Dritëro Agolli, për të cilin tha se do të ishte i mirëpritur në çdo moment në Partinë Socialiste dhe në Parlament, duke vlerësuar qëndrimet e tij të pavarura.

Ori Nebiaj: “Çfarë mendimi keni për kandidaturën e Arbër Hajdarit për Bashkinë e Tiranës, edhe si është socialist i vjetër, mbahet mend që fëmijë me FRESSH-in?”

Erion Braçe: “Nuk është puna ime. Në rast se do të ketë garë dhe do të jemi përballë, e mirëpres. Garë për të qenë kandidat. Habibi në Amerikë mundi fillimisht një kandidat brenda partisë së tij. Pyetjen për Arbrin po e lë menjanë. Dua t’i flas socialistëve në radhë të parë, më pas gjithë qytetarëve të Tiranës. Cilindo që ka një ambicie e shoh si potencial.

Në PS do të riktheja Dritëro Agollin, që kishte qëndrimet e tij, jo të partisë. Agolli është një figurë që në PS dhe në parlament do të ishte e mirëpritur në çdo moment. Ka thënë mendimin e tij edhe kur kishte një sallë kundër dhe fitoi të them të drejtën.

Sa i përket përjashtimeve, jam kundër. Kushdo është i lirë të qëndrojë dhe të largohet. Shoku im i ngushtë është Ervin Hoxha, shoqja ime është Aulona Bylykbashi. Kut tjetri hyn dhe të shan, ka problem personal, bllokoj nga 200-300 njerëz ditë, por pasi i kthej të sharën. Dinjitetin, njeriu e ka të shenjtë. Problemi tjetër janë makinat, rrjete që funksionojnë vetëm për të sharë.

Pazarin e bëj vetë, kilogrami i domates sot ishte 180 lekë. Kur fola për ligjin e ciklit menstrual në grupin parlamentar më shikonin çuditshëm. Gjithashtu ka lidhje me shëndetin seksual dhe me riprodhimin. Kam marrë përgjigje dhe më është thënë se na ikin nga komisionet e tenderave dhe gjejnë arsye për të mos firmosur”.

Advertisement