Aktualitet
Ora luksoze me vlerë 600 mijë euro, shqiptari tallet sërish me autoritetet britanike
Dorian Puka, shqiptari që ka qenë disa herë në shënjestër të drejtësisë britanike për vjedhje, është rikthyer në vëmendjen e mediave në Mbretërinë e Bashkuar, këtë herë për ekspozimin e një koleksioni orësh luksoze me vlerë afro 600 mijë euro.
29-vjeçari, i cili është dënuar dy herë me burg dhe është dëbuar nga Britania e Madhe, dyshohet se është rikthyer ilegalisht në vend. Gjatë dy viteve të fundit, ai ka tërhequr vëmendjen përmes postimeve në rrjetet sociale, ku shfaq një stil jetese luksoz, duke ironizuar edhe autoritetet britanike.
Së fundmi, Puka ka publikuar në Instagram fotografi të disa orëve të markave më të shtrenjta në botë, vlera e të cilave, sipas vlerësimeve të mediave britanike, arrin në afro 600 mijë euro.
Mes tyre spikat një Rolex Cosmograph Daytona “Le Mans”, prej ari 18-karatësh, me vlerë rreth 174 mijë euro.
Në një tjetër postim, ai ka shoqëruar fotografinë e një ore Rolex me mbishkrimin ironik: “Dikur isha i varfër, e mbani mend?”.
Koleksioni përfshin gjithashtu tri ora Rolex Day-Date 36 prej ari 18-karatësh, dy prej të cilave vlerësohen rreth 39 mijë euro secila, ndërsa e treta arrin deri në 54 mijë euro.
Në listën e orëve luksoze janë edhe dy modele Patek Philippe Aquanaut, me vlerë nga 78 mijë deri në 96 mijë euro secila.
Ekspozimi i këtij koleksioni vjen vetëm pak javë pasi shqiptari publikoi fotografi të një Rolls-Royce Cullinan, model që kushton rreth 396 mijë euro, si dhe imazhe të një maceje të racës Bengal, një kafshë shtëpiake mjaft e kushtueshme.
Historia e tij me drejtësinë britanike
Puka u dënua fillimisht me nëntë muaj burg në vitin 2016, pasi tentoi të hynte me forcë në një banesë. Pronari i shtëpisë, i cili ndodhej me pushime në Francë, e kishte vënë re përmes kamerave të sigurisë.
Pas dëbimit në vitin 2017, ai arriti të rikthehej në Mbretërinë e Bashkuar, ku u përfshi në një seri vjedhjesh në Londër.
Ai u arrestua nga policia gjatë një patrullimi në zonën e Surbitonit, në jugperëndim të Londrës, pas shtimit të rasteve të vjedhjeve në atë zonë. Në momentin e arrestimit, Puka mbante një orë luksoze të vjedhur.
Më pas, ai u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg dhe në mars të vitit 2020 u dëbua sërish nga Britania e Madhe.
Megjithatë, sipas raportimeve britanike, ai është rikthyer përsëri në vend. Edhe gjatë qëndrimit në burg, Puka kishte arritur të përdorte një telefon celular për të publikuar fotografi në Instagram.