✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

ATA DO DJEGIN SHQUP-IN/ ILIR KULLA PARALAJMERON SKENARIN QE DO TRONDITE OPOZITEN

Eksperti i sigurisë Ilir Kulla ka komentuar protestat kombëtare që po zhvillohen dy herë në javë, të mërkurave dhe të shtunave, duke paralajmëruar se ndërhyrjet e Partisë Demokratike mund të sjellin përshkallëzim të tensioneve.

Sipas Kullës, protestat po ndikojnë në imazhin ndërkombëtar të kryeministrit Edi Rama, pasi zhvillimet në Shqipëri po marrin vëmendje edhe jashtë vendit.

“Narrativa e protestës vazhdon dhe dominon Ramën atje ku Ramës i dhemb më shumë, në mediat ndërkombëtare”, deklaroi Kulla.

Ai iu referua edhe pjesëmarrjes së Ramës në Forumin e Paqes në Paris, duke pretenduar se një pjesë e konsiderueshme e diskutimeve të kryeministrit ishte përqendruar te protestat në Shqipëri. Megjithatë, Kulla e drejtoi pjesën më të fortë të kritikave ndaj Partisë Demokratike, të cilën e akuzoi se po ndërhyn në protestë dhe po përpiqet të ndikojë në karakterin e saj.

Sipas tij, protesta nuk është thjesht kundër qeverisë Rama, por kundër sistemit politik të krijuar gjatë më shumë se tri dekadave të fundit, për të cilin ai konsideron përgjegjëse si Partinë Socialiste, ashtu edhe Partinë Demokratike.

“Në qoftë se PD-ja vazhdon në mënyrë sistematike të vërë Mullin, Flamurtarin, për të prishur protestën, nuk do të jetë e largët dita që ata, në vend që të shkojnë te Kryeministria, do të kthehen te SHQUP-i dhe do ta djegin SHQUP-in”, deklaroi Kulla.

Ai theksoi se ky ishte një paralajmërim për rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve dhe jo një zhvillim që ai e dëshiron.

“Nuk bëj shaka. Sepse ka një problem të madh: kjo protestë ka një kuptim, sepse është kundër sistemit, është kundër të gjithëve, përfshirë edhe mua”, u shpreh eksperti.

Kulla iu referua edhe incidenteve të raportuara gjatë protestave të mëparshme, kur disa pjesëmarrës, sipas tij, janë larguar me forcë pasi kanë hedhur thirrje kundër Ramës dhe Berishës. Ai paralajmëroi se përsëritja e situatave të tilla mund të krijojë tensione që organizatorët nuk do të jenë në gjendje t’i kontrollojnë.

“Është vetëm moment nervash që do të ndodhë një gjë që do t’u dalë jashtë kontrollit, sepse ata nuk e kuptojnë që kjo është protestë kundër sistemit”, tha Kulla.

Në përfundim, Kulla bëri edhe një vlerësim për raportet aktuale politike dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja. Sipas tij, nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin tani, Partia Socialiste e Edi Ramës do të dilte fituese, ndërsa Partia Demokratike rrezikon të humbasë më tej mbështetjen.

“Nëse shkohet sot në zgjedhje, i fiton Rama. Por, nëse PD-ja vazhdon të bëjë po të njëjtën gjë, nëse shkohet sot në zgjedhje, PD-ja del forcë e tretë dhe do të përfundojë si LDK-ja në Kosovë, mos më keq”, deklaroi Kulla.

Pjesë nga intervista:

-Sot e mërkurë, ditë proteste, proteste kombëtare që pas pak kohe pas ndryshimit të strategjisë nga ana e protestuesve duke e kthyer protestën në nivel kombëtar në dy ditë në javë, të mërkurave dhe të shtunave. Por po shohim që po ndodh i njëjti skenar, sa ka ndryshuar protesta deri më tani, si ka ndryshuar dhe a përbën më rrezik direkt për kryeministrin Rama?

Ilir Kulla: Shiko, narrativa e protestës vazhdon dhe dominon Ramën atje ku Ramës i dhëmb më shumë, në mediat ndërkombëtare. Edhe dje e nëse pe në Paris, kishte një takim shumë të rëndësishëm, Forumi i Paqes, gjysma e bisedës së tij ishte për protestën.

-Pyetjet ishin për protestën?

Ilir Kulla: Po. Kështu që kjo është ajo gjëja që e shqetëson. Sigurisht, që në qoftë se vazhdon kështu, pra në qoftë se PD-ja vazhdon në mënyrë sistematike të vërë mullin flamurtar për të prishur protestën, nuk do jetë e largët dita që një ditë ata në vend që të shkojnë te kryeministria do kthehen te SHQUP-i dhe do djegin SHQUP-in.

-Pse?

Ilir Kulla: Nuk bëj shaka domethënë. Sepse ka një problem të madh që kjo protestë ka një kuptim sepse kjo është kundër sistemit, është kundër të gjithëve, përfshirë dhe mua. Dhe nëse një parti politike që është po aq përgjegjëse për çfarë ka ndodhur në Shqipëri 36 vitet e fundit, për sistemin politik, sa dhe ata që janë në pushtet, unë nuk do të çuditesha që një ditë ata në vend që të shkojnë te bulevardi aty të marrin kthesën këtu matanë edhe… kjo do të ishte gjithsesi një dramë për demokracinë e vendit, por në qoftë se ata vazhdojnë dhe ne kemi parë ato pamjet që kemi parë që…

– Janë të përzënë me forcë protestues.

Ilir Kulla: Janë përzënë me forcë, po javës që shkoi gati u rrahën…

-Po pra vetëm sepse thirrën Rama në burg, Berisha në burg.

Ilir Kulla: E domethënë, në qoftë se kjo punë vazhdon kështu, unë e shoh që ki parasysh që është vetëm moment nervash që do të ndodhi një gjë që do t’i dali jashtë kontrolli sepse ata nuk e kuptojnë që kjo është protestë kundër sistemit. Dhe kur themi sistem, në kërkesat që ka bërë Flamingo në verë, nëse të kujtohet, në 5 kërkesat që lexohej Dritan Goxhaj, tre nga ato kërkesa kishin të bënin pikërisht me marrëveshjen e 2008-s mes Berishës dhe Ramës.

-Pikërisht. Ramës dhe Berishës.

Ilir Kulla: Jo jo, Ramës dhe Berishës, ajo është mes Berishës dhe Ramës.

– Ok, Berishës dhe Ramës.

Ilir Kulla: Rama ka qenë në opozitë atëherë, t’i themi gjërat siç janë. Prandaj, nëse protesta e humb atë qëllimin e vet pra kërkesën për ndryshimin e sistemit, protesta s’ka me ndikim. Sepse është e qartë, ta kam thënë dhe herë tjetër që në qoftë se shkohet sot në zgjedhje, i fiton Rama. Por ama nëse PD-ja vazhdon bën po të njëjtën gjë, nëse shkohet sot në zgjedhje, PD-ja del forcë e tretë dhe do të përfundojë si LDK-ja në Kosovë, mos më keq.

Advertisement