Kronike
Atentati me 1 viktimë dhe 1 të plagosur, ngrihen pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës
Një atentat me armë zjarri ka tronditur mëngjesin e kësaj të diele Sarandën, ku një 44-vjeçar ka mbetur i vrarë dhe një kalimtar i rastit është plagosur.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:55, pranë ish-agjencisë së qytetit. Në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri shtetasi A. M., rreth 44 vjeç, i cili ka humbur jetën.
Nga të shtënat është plagosur edhe shtetasi Xh. S., rreth 73 vjeç, kalimtar i rastit. I plagosuri është transportuar në spital, ku po merr ndihmën mjekësore.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Janë ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës, ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e personave të dyshuar.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor. Nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, administrimin e provave dhe zbardhjen e rrethanave të atentatit.
Deri në këto momente, motivi i vrasjes dhe identiteti i autorëve mbeten ende të paqarta.