Connect with us

Aktualitet

Ballafaqimi i dy qëndrimeve të ndryshme në përballjen e një pandemie

Në 2 deri më 4 tetor 2020, një grup studiuesish u mblodhën në qytetin e vogël Great Barrington të shtetit Massachussetts, SHBA, ku është selia e Institutit Amerikan për Kërkimin Ekonomik dhe hartuan një dokument në 540 fjalë, të cilin e quajtën “Deklarata e Great Barrington”. Në këtë grup merrnin pjesë shkencëtarë të njohur dhe me emër në fushat e Shëndetit Publik dhe të Epidemiologjisë nga universitete të famshëm si: Harvard, Oksford dhe Stanford, SHBA.

Nëpërmjet kësaj deklarate, të firmosur më pas dhe nga shumë shkencëtarë të tjerë të njohur nga e gjithë bota, hidhet ideja se politikat e “lockdown” që u ndoqën nga shumica e vendeve të botës të prekur nga COVID19 po japin pasoja të rënda që vijnë nga neglizhenca e problemeve të tjera shëndetësore të popullatës. Gjithashtu, mbajtja e zgjatur e masave restriktive mund të japë pasoja të rënda sociale dhe ekonomike, sidomos për individët më pak të privilegjuar dhe më pak të mbrojtur të shoqërisë. Në deklaratë theksohet fakti se rreziku i vdekjes nga infeksioni COVID-19 është një mijë herë më i lartë te të moshuarit dhe më të dobëtit sesa ndër të rinjtë. Gjithashtu, sipas tyre, është evidentuar se te fëmijët infeksioni COVID-19 është më pak i dëmshëm se shumë infeksione të tjera, përfshirë këtu dhe gripin (influencën).

Deklarata e Barrington mbështet teorinë e imunitetit të tufës, sipas së cilës me rritjen e shkallës së imunizimit të popullatës të shëndetshme dhe në moshë të re nga infeksioni natyral, bie rreziku i prekjes nga infeksioni edhe i pjesës tjetër më vulnerabël dhe të prekshme, siç janë të moshuarit dhe ata me sëmundje shoqëruese. Me rritjen e imunizimit nga infeksioni natyral, popullatat do të arrijnë në pragun e imunitetit të tufës, pas së cilës ritmi i infeksioneve të reja do të ulet dhe do të stabilizohet. Arritja e këtij pragu mund të ndihmohet dhe nga aplikimi i vaksinës, por pa u varur nga ajo.

Qëllimi i studiuesve që kanë firmosur “Deklaratën e Barrington” është minimizimi i mortalitetit nga pandemia, si dhe i pasojave të dëmshme sociale të saj deri sa të arrihet pragu i imunitetit të tufës. Ata mbështesin hipotezën se strategjia më e përshtatshme për arritjen e këtij qëllimi është krijimi i kushteve që ajo pjesë e popullatës, e cila ka një rrezik minimal vdekje nga infeksioni COVID-19, të bëjë një jetë sa më normale dhe të krijojë kështu imunitet nëpërmjet infeksionit natyral. Ndërkohë, ata që kanë një rrezik më të lartë sëmundshmërie dhe vdekshmërie nga COVID-19, duhet të mbrohen në mënyrë të veçantë dhe këtë ata e quajnë “Mbrojtje të Fokusuar”. Ata përmendin gjithashtu dhe një sërë masash që duhen implementuar për të mbrojtur të moshuarit, si dhe individët më vulnerabil, për shkak të sëmundjeve dhe gjendjeve të tjera shoqëruese të tyre.

Bashkëfirmëtarët e “Deklaratës të Great Barrington” rekomandojnë që shkollat dhe universitetet duhet të vazhdojnë të jenë të hapura dhe aktivitetet jashtëshkollore, si p.sh. sportet, duhen ushtruar normalisht. Ata rekomandojnë që restorantet, bizneset e ndryshme si dhe artet, muzika dhe sportet të zhvillohen normalisht. Madje, ata sugjerojnë që edhe personat më të rrezikuar të mund të marrin pjesë në këto aktivitete nëse dëshirojnë, duke përfituar nga mbrojtja prej atyre që e kanë kaluar infeksionin dhe kanë tashmë imunitet ndaj COVID-19.

Në përgjigje të “Deklaratës së Great Barrington”, në 14 tetor 2020 u botua në revistën mjekësore të mirënjohur angleze “Lancet”, “Memorandumi i John Snow”. John Snow ka qenë një mjek anesteziolog dhe higjenist i njohur britanik i shekullit XIX, i cili konsiderohet si themeluesi i epidemiologjisë moderne. Ky memorandum me rreth 930 fjalë dhe i firmosur nga më tepër se 4800 shkencëtarë, kërkues dhe profesionistë të shëndetit nga e gjithë bota, ngre së pari faktin se vdekshmëria e përgjithshme nga COVID-19 është disa herë më e lartë se ajo nga gripi stinor dhe kalimi i COVID-19 mund të shkaktojë sëmundje të zgjatura, madje edhe te të rinjtë që nuk kanë sëmundje shoqëruese.

Gjithashtu, firmëtarët e “Memorandumit të John Snow” vënë në dukje se nuk është akoma e qartë se sa zgjat imuniteti mbrojtës pas kalimit të COVID-19 dhe ngrenë dyshime për mundësinë e riinfektimeve. Edhe këta pohojnë se transmetimi i virusit duhet të pengohet nëpërmjet distancimit fizik, përdorimit të maskave, higjienës respiratore dhe të duarve, duke evituar grumbullimet e njerëzve, si dhe ambientet e ajrosura jo mirë. Gjithashtu, edhe sipas tyre testimi i shpejtë, gjurmimi i kontakteve dhe izolimi i personave të infektuar janë gjithashtu faktorë kritikë për kontrollin e transmetimit të infeksionit. Ata nënvizojnë faktin se mbyllja (lockdown) e aktiviteteve dhe e lëvizjeve njerëzore ishte e domosdoshme për reduktimin e mortalitetit, parandalimin e mbingarkesës së strukturave shëndetësore, si dhe për të fituar kohë për organizimin e pengimit të përhapjes së infeksionit në periudhën pas hapjes.

Efektet e mbylljes, thuhet në këtë Memorandum, kanë qenë të rënda, duke prekur shëndetin mendor dhe fizik, si dhe duke dëmtuar ekonominë. Këto efekte kanë pasur pasoja më të rënda në vendet që nuk qenë të afta të përdornin periudhën gjatë dhe pas mbylljes për të instaluar sisteme efikase të kontrollit të pandemisë. Si pasojë e këtyre mangësive, këto vende kanë pësuar restrikcione të vazhdueshme, të cilat kanë sjellë edhe një demoralizim të gjerë dhe pakësim të besimit. Mbërritja e valës së dytë dhe sfidat e saj kanë ngjallur sipas tyre interesin e qasjes së epidemisë me anë të formimit të imunitetit të tufës, duke mos penguar përhapjen e infeksionit në individët e parrezikuar për komplikacione dhe duke mbrojtur më të rrezikuarit. Por, sipas firmëtarëve të “Memorandumit të John Snow”, kjo qasje është antishkencore dhe e pambështetur në prova shkencore. Transmetimi i pakontrolluar i infeksionit në popullsinë me moshë të re do të rrezikonte një sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë në të gjithë popullatën.

Prandaj, ata rekomandojnë që për të përballuar këtë valë të dytë, duhet që në mënyrë të vendosur dhe urgjente të merren masa të rëndësishme që pengojnë transmetimin e infeksionit, duke përfshirë dhe kufizime dhe mbyllje të vazhdueshme. Këto masa do të mundësojnë pengimin e përhapjes së infeksionit nga SARS-CoV-2, duke e mbajtur atë në nivele të ulëta me anë të mbylljes së shpejtë të shpërthimeve lokale, nëpërmjet diagnostikimit, testimit, gjurmimit dhe izolimit. Si shembull ata marrin Japoninë, Vietnamin dhe Zelandën e Re, që janë histori suksesi në këto drejtime.

Kur lexohen veç e veç këto dokumente, ato paraqesin që të dyja argumente bindëse. Por, në fakt, të dy këto qasje strategjike të trajtimit të pandemisë kanë problematikat dhe kufizimet e tyre. “Mbrojtja e fokusuar” e “Deklaratës së Great Barrington” ka pikën e dobët se është vështirë në praktikë të përcaktosh se kush është më i prekshëm nga COVID-19 dhe kush nuk është i tillë, dhe aq më tepër të arrish mbrojtjen në mënyrë efikase dhe të diferencuar të atyre më të prekshëm.

Një mangësi tjetër e kësaj deklarate është se ajo nuk merr parasysh problematikën e rëndë të mbingarkesës së spitaleve nga shumë pacientë që mund të paraqiten në të njëjtën kohë. Por dhe “Memorandumi i John Snow” duket se ka problemet e veta.

Ai nuk qartëson se si duhet të jenë programet e gjëra sociale që mund të minimizojnë pasojat e pandemisë dhe as se si mund të përballohen dëmet e rënda ekonomike që vijnë si pasojë e mbylljeve të aktiviteteve dhe që prekin si të parrezikuarit, po ashtu dhe më të dobëtit dhe të rrezikuarit nga COVID-19. Ndarja përjashtuese e këtyre dy qasjeve, që mund të interpretohen edhe sikur u përkasin dy poleve të ndryshme politike, është pa dyshim jo e dobishme. Nuk ka kuptim të bëhesh partizan i një grupi apo tjetër, ndërkohë që është më e arsyeshme një qëndrim bipartizan, i cili merr më të përshtatshmen dhe më të mirën nga secili qëndrim. Nga të dyja kampet pranohet që testimi dhe gjurmimi i kontakteve në mënyrë masive janë mjetet teknologjike që ndajnë qëndrimin modern nga ai i vjetër ndaj pandemive.

Nga ana tjetër, masat parandaluese bazike si ruajtja në maksimum e distancimit fizik, mbajtja e maskave dhe higjiena e duarve duhet të përfshijnë, në fakt, të gjithë popullatën dhe jo vetëm individët më të rrezikuar. Për grupet më të rrezikuara nga pasojat e infeksionit COVID-19 siç janë moshat mbi 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike dhe gjendje të tjera dobësuese duhen programe të veçanta sociale mbrojtjeje të detajuara mirë dhe të implementuara me imtësi. Puna online duhet mbështetur në mënyrë sa më të gjerë, pasi dihet se infektimi në qendrat e punës është një nga burimet kryesore të përhapjes së COVID-19.

Mbyllja e shërbimeve publike si dhe e qendrave të punës apo dhe kufizimet e lëvizjeve nuk do të ishin zgjidhja më e mirë, por në ambientet ku kryhen këto aktivitete duhen respektuar në mënyrë rigoroze masat parandaluese si maskat, distancimi fizik, dhe higjiena e duarve. Gjithashtu, faktet e deritanishme kanë treguar se vendet që kanë një shëndet publik të fuqishëm dhe me laboratorë dhe sisteme survejimi dhe gjurmimi të organizuar mirë, e kanë përballuar më mirë pandeminë nga COVID-19.

Kombinimi i të gjitha masave të mësipërme të shëndetit publik në mënyrë sa më efikase dhe rigoroze do të ulë dëmet e pandemisë nga COVID-19 deri në kohën e aplikimit në masë të vaksinës, që do të ishte zgjidhja përfundimtare e kësaj pandemie.

 

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Aktualitet

“Urdhri u dha nga Londra”/ Tritol banesës në Vlorë, konflikt për ‘shtëpi bari’

Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i 27 vjeçarit Oltion Çeça i cili akuzohet se në bashkëpunim me Ajet Dokun, ka vendosur një sasi lënde plasëse në banesën e Elton Andreica Alias Muça në Vorë.

Mësohet se shkak për ngjarjen e ndodhur në 19 shkurt të këtij viti, janë bërë konfliktet pronari i banesës, ka pasur në Londër të Anglisë për aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të kanabisit apo “shtëpive të barit”.

Dyshohet se autorët e ngjarjes, janë paguar nga Londra për të bërë të mundur vendosjen e lëndës plasëse në banesën e Elton Adreicës.

Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka pasur të lënduar përveç dëmeve materiale, ndërsa në kërkim është 27 vjeçari Ajet Doku, bashkëpunëtori i Oltion Çeçës në vendosjen e tritolit.

Continue Reading

Aktualitet

Ra nga vinçi teksa po riparonte llambat e qytetit, ndërron jetë punonjësi i bashkisë së…

Një 56-vjeçar i cili shërbente si punonjës i bashkisë së Elbasanit ka ndërruar jetë ditën e sotme në spital, pasi u rrëzua nga vinçi teksa po riparonte llambat e qytetit më herët gjatë ditës.

Dyshohet se 56-vjeçari u rrëzua nga mjeti rreth mesditës për shkak të një defekti në vinç, ndërsa ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve disa orë më vonë.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 12:00, shtetasi E. B., 56 vjeç, punonjës i bashkisë Elbasan, gjatë punës mbi vinç, për riparimin e llambave elektrike në shtyllat e ndriçimit, në lagjen “5 Maji”, dyshohet se për shkak të një defekti në vinç, është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar. 56-vjeçari është në spital, në kujdesin e mjekëve.

 

 

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mesditën e sotme, ju informojmë se, shtetasi E.B, 56 vjeç, punonjës i Bashkisë Elbasan, për shkak të dëmtimeve, ka humbur jetën në spital.

Continue Reading

Aktualitet

Protesta para Bashkisë së Tiranës/ Ambasada italiane dënon dhunën

Edhe ambasada e Italisë në Tiranë ka reaguar për protestën e sotme përpara Bashkisë së kryeqytetit.

Ambasada italiane shprehet se dhuna në një protestë është e pajustifikueshme.

‘Ambasada e Italisë në Tiranë dënon aktet e dhunës të kryera sot gjatë protestës së zhvilluar para Bashkisë Tiranë.

 

 

E drejta për t’u organizuar paqësisht e për të protestuar është thelbësore në një shoqëri demokratike, por dhuna ndaj objekteve apo personave nuk është aspak e justifikueshme”, thuhet në reagimin e ambasadës italiane.

Reagimi i ambasadës së Italisë vjen pas reagimeve nga ambasada amerikane, ajo britanike, BE dhe OSBE.

Continue Reading

Aktualitet

Kyçi gojën dhe nuk jep informacione për vendndodhjen e nipit, lihet në burg gjyshi i 3-vjeçarit

Gjykata e Durrësit ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për Rexhep Gjunin dhe kunatin e tij Arben Selaj, për rrembimin e 3-vjeçarit nga nëna e tij. Ndërkohë që gruaja e Gjunit, Bahrie Gjuni dhe vëllai i saj Flamur Selaj, e cila ka dhe djalin e mitur me vete është shpallur në kërkim nga policia.

Nëna e fëmijës ka bërë denoncim në polici dhe uniformat blu kanë arritur të gjejnë vetëm 58-vjeçarin Rexhep Gjuni, por jo bashkëshorten e tij dhe fëmijën. 58-vjeçari, është ndaluar nga policia por nuk ka treguar se ku ndodhet i mituri, ndërkohë që babai i 3-vjeçarit ka humbur jetën një vit më parë në një aksident automobilistik. Fillimisht 58-vjeçari ka deklaruar se fëmija ndodhet në Kukës te disa të afërm, por policia e Kukësit nuk e ka gjetur.

Mësohet se gjyshërit kanë pasur një konflikt me nusen edhe për përfitimet ekonomike pas vdekjes së djalit si dhe frikë se mos nusja e tyre mund të largohej jashtë vendit. Babai i fëmijës Avni Gjuni humbi jetën në shkurt të vitit 2023 në një aksident automobilistik që ndodhi te Kthesa e Kamzës. Të tronditur pas kësaj ngjarjeje dhe largimit të nuses me nipin te prindërit e saj, Rexhep dhe Berile Gjuni vendosën të largohen edhe nga shtëpia e tyre në zonën e ish-Kënetës për t’u zhvendosur në një banesë me qira në të njëjtën zonë. Aktualisht, në banesë nuk ndodhet askush, ndërsa policia vijon kontrollet në bashkëpunim dhe me policinë e Kukësit dhe rrethet kufitare për të gjetur fëmijën dhe gjyshen dhe fëmijën.

Continue Reading

Aktualitet

Protesta para bashkisë Tiranë/ Reagon dhe delegacioni i BE: Dënojmë fort dhunën

Pas ambasadës amerikane, për protestën e opozitës përpara Bashkisë së Tiranës ka reaguar edhe delegacioni i BE-së.

Delegacioni i Bashkimit Europian ka dënuar dhunën në këtë protestë. BE shprehet se akte të tilla dhune nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protesta paqësore.

“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete ndezëse të improvizuara në godinën e bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, thuhet në reagim.

“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete ndezëse të improvizuara në godinën e bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, thuhet në reagim.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING