Politike
Berisha i ashpër ndaj qeverisë: Çdo ditë del një faqe e zezë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar gjatë turit “Foltorja e Ripërtëritjes” në Vlorë se opozita ka përpara një rol të rëndësishëm politik përballë qeverisë. Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te zhvillimet e fundit që lidhen me hetimet e SPAK dhe kontrollet e kryera nga BKH.
Duke iu referuar masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, si dhe pezullimit të saj nga detyra, Berisha e akuzoi atë për lidhje me krimin e organizuar. Sipas tij, Hyseni u ka vënë në dispozicion eksponentëve kriminalë mjete shtetërore të survejimit.
Berisha foli gjithashtu për kontrollin e banesës së ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, të kryer gjatë ditës nga BKH me urdhër të GJKKO-së. Në fjalën e tij, kreu i PD-së pretendoi se gjatë kontrollit është gjetur një armë snajper, por ky pretendim duhet të konfirmohet nga autoritetet dhe dokumentet zyrtare të procedimit.
Kreu i opozitës shtriu akuzat edhe ndaj zyrtarëve dhe biznesmenëve të tjerë, duke pretenduar se zhvillimet që lidhen me Belinda Ballukun, Vlora Hysenin, Ermal Beqirin dhe Ergys Agasin janë kryer, sipas tij, nën urdhrat e kryeministrit Edi Rama. Berisha nuk paraqiti në fjalimin e tij prova konkrete për këtë pretendim.
“Të dashur demokrate dhe demokratë, qytetare dhe qytetarë të Vlorës, në këtë sallë, në qytet, në të katër anët e qarkut dhe në të katër anët e dheut ku jeni, një përshëndetje shumë të përzemërt. Zonja kryetare e PD, zoti deputet i PD, Bujar Leskaj, zoti nënkryetar i PD, Nikola Kedhi, zoti drejtues politik i qarkut, Aurel Bylykbashi, drejtues zoti Klevis Balliu, Sekretar Organizativ, një përshëndetje të përzemërt dhe vlerësimin tim për të gjithë punët dhe përpjekjet. Të dashur miq, ne mblidhemi sot në një moment kritik të një roli të ri që duhet të marrë PD. Ky rol i ri i PD përcaktohet para së gjithash dhe mbi të gjitha nga emergjenca kombëtare e këtij vendi, emergjenca kombëtare e Vlorës, emergjenca kombëtare e Tiranës dhe e Shqipërisë.
Ne, forcë politike me një trashëgimi, e cila bën krenar çdo anëtar dhe mbështetës të saj, kemi përpara një detyrë jetike për vendin, por një detyrë të vështirë, përmbushja e së cilës do jetë përcaktuese në shumë aspekte për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Çdo ditë qytetarët lexojnë dhe dëgjojnë nga një faqe të zezë nga libri i zi i këtij regjimi. Çdo ditë dalin dëshmitë më rrënqethëse se si kurrë më parë shqiptarët sot janë në pushtimin e krimit, në pushtimin e një regjimi kriminal. Një regjimi në të cilin, marrim ditën e sotme, del se kreu i SHISH, që ka detyrë më kryesore sigurinë kombëtare, sigurinë e gjithanshme, është një ushtare e shpifur e krimit të organizuar.
I jepte bandave dhe krimit të gjitha mjetet që bliheshin me taksat, paratë tuaja, të regjistrimeve, të filmimeve, të survejimeve për ata që kërcënonin rrezikun. Ish-drejtori i policisë, që iu kontrollua banesa, gjendet me snajper superspecial në banesë, i blerë në funksion të sigurisë së qytetarëve, por kurrë një person të dhënë, i blerë për funksione të caktuara. Pra, mund të vazhdoj gjatë e gjatë në këtë aspekt, por një gjë do t’u them, se çdo gjë që keni dëgjuar dhe do të dëgjoni për Belinda Ballukun, për Vlora Hysenin, për Ermal Beqirin, Ergys Agasin, në mënyrë absolute që të gjitha janë bërë nën urdhrat e Edi Ramës. Asnjë prej tyre nuk është bërë pa urdhrin e tij. Dhe ju, dhe shqiptarët, do mësojnë shumë e shumë gjëra të tjera nga aktet e shëmtuara kriminale të kësaj bande. Para saj, ne jemi forca politike me detyrim madhor të shpëtojmë vendin. Roli i demokratëve është roli i shpëtimtarit,” tha Berisha.