Politike
TE NGRIHEMI NE KEMBE, RAMA E KA VENDIN NE QELI
Gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përjashtuar mundësinë e bojkotit të Parlamentit, duke argumentuar se një vendim i tillë do të ishte në favor të kryeministrit Edi Rama.
Berisha deklaroi se opozita duhet të vijojë përballjen politike dhe institucionale me mazhorancën, ndërsa grupi parlamentar i PD-së, sipas tij, duhet të japë një reagim të fortë brenda Kuvendit.
“Sot lipset që PD të ndërmarrë gjithë përpjekjet e saj për largimin e Ramës dhe regjimit të tij. Për përmbysjen e këtij regjimi. Koha fton sot çdo demokrat dhe demokrate, të gjithë mbështetësit tanë, të ngrihen në këmbë dhe me të gjitha mjetet demokratike të përballen me këtë regjim”, u shpreh Berisha.
Duke folur për mundësinë e bojkotit të Parlamentit, kryedemokrati e cilësoi atë si vendimin më të lehtë, por tha se një hap i tillë do t’i krijonte avantazh mazhorancës.
“Vendimi më i lehtë do të ishte bojkoti i Parlamentit, por unë kam qenë dhe mbetem i bindur se ky do të ishte avantazh për Edi Ramën”, deklaroi Berisha.
Ai vijoi duke akuzuar kryeministrin se, sipas tij, do të përdorte çdo mjet për të ruajtur pushtetin.
“Çdo njeri nga ne ta ketë të qartë se ai lufton për ekzistencën e tij, pasi e di që s’ka vend tjetër veçse në qeli me dhjetëra vite burg për krimet që ka kryer. Ai është i aftë për gjithçka për të ruajtur pushtetin dhe karrierën e tij”, tha Berisha.
Në fund, ai iu referua qëndrimit që pritet të mbajë grupi parlamentar i PD-së në Kuvend, duke theksuar se, pavarësisht vështirësive, opozita duhet të vijojë përballjen brenda Parlamentit.
“Grupi parlamentar do të përshtatet për t’i dhënë përgjigjen e merituar. Ne në Parlament jemi në kushte të vështira, por ne duhet t’i japim përgjigjet më të forta në Parlament”, u shpreh Berisha.