Sport
Botërori 2026/ Brazili fiton 3-0 me Haitin, skuadra e Ancelottit merr kreun e Grupit C
Brazili ia doli të siguronte fitoren e parë në këtë Kupë Bote duke mposhtur Haitin me rezultatin 3-0. Ndeshja e zhvilluar në ‘Lincoln Financial Field’ mëngjesin e kësaj të shtune me kohën shqiptare vlente për Grupin C, grup që kryesohet nga Brazili (me pikë të barabarta me Marokun).
Brazili nuk mund të gabonte sërish dhe pas barazimit 1-1 kundër Marokut bëri autokritikë duke dominuar që nga minuta e parë. Goli i avantazhit nuk vonoi dhe për këtë u kujdes Mathues Cunha i cili në debutimin e tij në këtë Botëror e ndali sferën në rrjetë pas 23 minutave lojë.
Sulmuesi i Manchester United nuk u ndal me kaq pasi në minutën e 36-të përfitoi nga asisti i Vinicius dhe gjeti golin e dytë. Fundi i pjesës së parë ‘vulosi’ fitoren e Brazilit me golin e tretë që u shënua nga Vinicius Junior. Dy gola për Vinicius pas atij të shënuar në portën e Marokut
Në minutën e 40-të Raphinha la fushën për shkak të një lëndimi, ndërsa në pjesën e dytë kishte vend edhe për talentin Endrick që të debutonte në Botëror.
Pas dy ndeshjeve të para, Haiti me zero pikë është skuadra e parë e eliminuar zyrtarisht nga Kupa e Botës. Grupi C kryesohet nga Brazili me katër pikë, ndjekur nga Maroku po me këtë kuotë pikësh, por amerikano latinët kanë golavarazhin më të mirë. Më pas vjen Skocia me tre pikë.
Ndeshjet e fundit në këtë grup do të jenë Skoci – Brazil dhe Marok – Haiti më 25 qershor.