Connect with us

Bota

Çfarë do të thotë vdekja e kreut të Marinës iraniane për luftën në Lindjen e Mesme

Komandant i marinës të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Alireza Tangsiri është vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz e përshkroi Tangsirin si person që ishte drejtpërdrejt përgjegjës për operacionin terrorist të minimit dhe bllokimit për anijet të Ngushticës së Hormuzit.

Alireza Tangshiri lindi në provincën Busher, Irani jugor dhe iu bashkua Marinës së Gardës në moshë të re. Ai luftoi në luftën Iran-Irak në vitet 1980, kur Shtetet e Bashkuara dhe Irani e gjetën veten për herë të parë në një konfrontim të drejtpërdrejtë dhe në shkallë të gjerë.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, ai mori komandën e Distriktit Detar të Gardës së 1-rë në Bandar Abbas dhe shërbeu si zëvendëskomandant për tetë vjet, nga 2010 deri në 2018, përpara se të merrte drejtimin e forcave detare.

Javën e kaluar, ai kërcënoi me hakmarrje kundër objekteve amerikane në rajon, duke paralajmëruar qytetarët dhe punëtorët të qëndrojnë larg.

 “Lista jonë e objektivave është përditësuar. Objektet e naftës të lidhura me Amerikën tani konsiderohen ekuivalente me bazat amerikane dhe do të vënë nën zjarr me të gjitha forcat e tyre”, tha Tangshiri në atë kohë.

Mediat shkruajnë se lajmi për vdekjen e tij është një goditje e re për udhëheqjen iraniane, pasi që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, kur SHBA dhe Izraeli nisën sulme në shkallë të gjerë kundër Iranit, një numër zyrtarësh të lartë politikë dhe ushtarakë janë vrarë në operacione të shënjestruara.

Ndër viktimat e rëndësishme është udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, ndërsa më 17 mars Ali Larijani, një politikan i lartë dhe kreu i sistemit të sigurisë së vendit, u vra pranë Teheranit. Sipas raportimeve, në të njëjtin sulm u vranë edhe anëtarë të familjes së tij.

Pak ditë më vonë, zëdhënësi i Gardës Revolucionare, Ali Mohammed Naini, u vra në një operacion të përbashkët mes SHBA-së dhe Izraelit, pak orë pas një daljeje televizive në të cilën pretendoi se Irani ka ende aftësinë për të vendosur sisteme raketore pavarësisht presioneve të luftës.

Pas vdekjes së Tangsiri, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se rrjedhat e naftës dhe gazit përmes ngushticës së Hormuzit, mund të kthehen në nivelet e paraluftës, gjë që mund të zvogëlojë presionin në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe të çojë në një de-përshkallëzim të çmimeve.

Efektet në luftë dhe energji

Izraeli argumenton se neutralizimi i Tangshir është një goditje e madhe për aftësinë e Iranit për të ndikuar në tregun ndërkombëtar të energjisë, pasi strategjia e tij kishte shkaktuar turbulenca serioze në tregtinë globale të naftës dhe gazit.

Efektet u ndjenë përtej rajonit të Gjirit, me ekonomitë kryesore si India dhe Kina që përballen me një kufizim në furnizimet me energji për shkak të tensioneve në ngushticën e Hormuzit.

Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan Donald Trump është nën presion të madh politik në vend, pasi rritja e çmimeve të karburanteve ka shkaktuar reagime, me një pjesë të publikut që ia atribuon përgjegjësinë përfshirjes së SHBA-së në konflikt.

Advertisement