Politike
Dhuna barbare ndaj protestuesve/ Kapri sulmon Hitën: Keni marrë ekspertë nga Serbia për protestat?
Prania e një topi akustik në Shqipëri dhe pretendimet për përfshirjen e ekspertëve serbë në menaxhimin e protestave u kthyen në objekt debati në Komisionin parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes.
Deputeti Erald Kapri kërkoi sqarime nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, nëse policia disponon një pajisje akustike që, sipas raportimeve të përmendura prej tij, mund të përdoret për shpërndarjen e protestuesve përmes valëve të forta zanore. Kapri pyeti gjithashtu nëse specialistë nga Serbia kanë ardhur në Shqipëri për të trajnuar efektivët apo për të asistuar në menaxhimin e tubimeve.
“Është raportuar në media që në Shqipëri ka ardhur një top akustik, një pajisje teknologjie e nivelit të lartë që bën një zhurmë të papranueshme dhe largon protestuesit”, deklaroi Kapri.
Drejtori i Policisë së Shtetit i mohoi të dyja pretendimet, duke deklaruar se një pajisje e tillë nuk ndodhet në Shqipëri dhe se asnjë punonjës policie i huaj nuk ka marrë pjesë në menaxhimin e protestave.
“Asnjë nga këto që thoni ju, zoti deputet, as nuk është përdorur dhe nuk do përdoret dhe s’ka pasur asnjë punonjës policie të huaj që ka ardhur në Shqipëri dhe ka marrë pjesë në menaxhimin apo duke na sugjeruar ndonjë gjë. As topi nuk është prezent, asnjë nga këto çfarë thua ti”, u përgjigj Hita.
Ai kundërshtoi gjithashtu pretendimet e deputetit për dëmtimin e protestuesve, duke iu referuar statistikave zyrtare të policisë dhe duke deklaruar se asnjë protestues nuk kishte përfunduar në spital.
Në debat ndërhyri edhe kryetari i komisionit, Bledi Çuçi, i cili kërkoi që diskutimi të mbështetej në informacione të konfirmuara dhe jo në raportime të pakonfirmuara.
“Me muhabet kafenesh dhe të pakonfirmuara nuk mund të vazhdojmë”, deklaroi Çuçi.
Ai mbrojti përdorimin e pajisjeve nga Policia e Shtetit, duke thënë se ato lejohen nga manualet perëndimore për menaxhimin e protestave të dhunshme.
“Janë të gjitha mjete që i lejojnë manualet perëndimore për protesta të dhunshme që bëhen në vendet perëndimore sot, asgjë e jashtëligjshme nuk ka në ato mjete”, u shpreh Çuçi.
Kryetari i komisionit iu referua edhe deklaratës së drejtorit të Policisë se për mjetet speciale nuk ishte përdorur buxheti i shtetit, duke sugjeruar që deputeti të kërkojë informacion shtesë përmes një kërkese zyrtare me shkrim.
Debati u zhvillua gjatë shqyrtimit të buxhetit të Policisë së Shtetit për vitin 2027, në një seancë ku deputetët ngritën edhe çështje të tjera lidhur me pajisjet speciale dhe mënyrën e menaxhimit të protestave.