Aktualitet
Hitaj nxjerr fotot e policëve të plagosur: Efektivët janë përballur me një sulm të paparë më parë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, ka paraqitur në Komisionin për Çështjet e Brendshme fotografi të efektivëve të plagosur gjatë protestave, në përgjigje të akuzave të deputetit opozitar Erald Kapri për dhunë policore ndaj protestuesve. Gjatë debatit, Kapri i kërkoi kryepolicit të japë dorëheqjen, ndërsa ky i fundit mbrojti veprimet e forcave të rendit.
Hitaj deklaroi se efektivët janë përballur me hedhje gurësh dhe sulme ndaj institucioneve që po ruanin. Ai theksoi se nuk do të dëshironte të kishte të lënduar nga asnjëra palë, por paraqiti fotografi të punonjësve të policisë me dëmtime të rënda, përfshirë fraktura në këmbë dhe dëmtime në kokë.
“Sa u përket dëmtimeve të punonjësve të policisë, nuk do të doja të kishte asnjë të dëmtuar. Por fakti është se, ditën e parë të protestës, policia ka qenë në ruajtje të objekteve shtetërore dhe është kujdesur për mbarëvajtjen e tubimit. Efektivët janë përballur me një sulm të paparë më parë, me një breshëri gurësh. Është ndërmarrë edhe një sulm ndaj institucioneve. Ka punonjës me këmbë të thyer dhe me dëmtime në kafkë, si në Shkodër”, deklaroi Hitaj.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte përdorimi i mjeteve speciale gjatë protestave, përfshirë autobotet e ujit dhe dronët. I pyetur për koston dhe origjinën e tyre, Hitaj tha se blerja nuk është financuar nga buxheti i shtetit.
“Zero lekë nga buxheti i shtetit për këto mjete. Përderisa nuk është shpenzuar asnjë lek, s’ka vend për diskutim. Policia përdor pajisjet speciale që ka në dispozicion dhe i përdor ato në bazë të ligjeve dhe dokumenteve përkatëse. Këtu përfshihen mjetet speciale, autobotet, dronët dhe mjetet e tjera që përdoren gjatë protestave. Ato janë marrë në përdorim nga policitë partnere dhe nuk janë dhuruar”, u shpreh drejtori i Policisë.
Deklaratat vijnë pas debatit në komision, ku Kapri kishte kërkuar sqarime për përdorimin e plumbave të gomës, ndërhyrjet ndaj protestuesve dhe përgjegjësinë në zinxhirin e komandës. Ndërsa Hitaj vuri në fokus dëmtimet e efektivëve, deputeti opozitar ngriti shqetësime për respektimin e të drejtës kushtetuese për protestë.
Debati për përdorimin e forcës nga policia dhe pajisjet speciale u zhvillua gjatë shqyrtimit të buxhetit të Policisë së Shtetit për vitin 2027.