Aktualitet
Dhuna ndaj protestuesve në Zvërnec, iu hiqet licenca ‘Myrto Security 1.3A’ e ‘Major Security’
Policia e Shtetit ka vendosur t’u heqë licencën dy subjekteve private të sigurisë fizike, “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”, pas shkeljeve të konstatuara gjatë hetimeve administrative lidhur me ngjarjet e ndodhura më 30 maj 2026 në Portonovë, Zvërnec.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet po kryhen nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti për Sigurinë Publike, me qëllim zbardhjen e plotë të veprimeve dhe mosveprimeve gjatë tubimit të zhvilluar në këtë zonë, si dhe verifikimin e ligjshmërisë së kompanive të kontraktuara për ruajtjen e pronës.
Nga verifikimet ka rezultuar se subjekti “Myrto Security 1.3A” nuk kishte marrë masat e nevojshme për sigurinë e objektit dhe nuk kishte zbatuar rregullat për kontrollin e hyrje-daljeve të personave dhe mjeteve.
Sipas Policisë, kompania nuk administronte listën e personave të autorizuar për të hyrë në objekt, çka bëri të mundur hyrjen e personave të paidentifikuar gjatë protestës.
Këta persona, sipas hetimeve, kanë ushtruar dhunë ndaj një protestuesi, duke e goditur dhe tërhequr me forcë, si dhe kanë reaguar ndaj pjesëmarrësve në tubim me gurë dhe sende të tjera nga brenda rrethimit të pronës. Policia thekson se punonjësit e kompanisë nuk ndërmorën asnjë veprim për t’i ndaluar apo larguar ata.
Ndërkohë, për subjektin “Major Security”, hetimet kanë konstatuar se një punonjës i licencuar i kompanisë, së bashku me dy persona të tjerë të proceduar penalisht, kanë kryer veprime arbitrare ndaj një protestuesi. Sipas Policisë, dy personat e tjerë nuk rezultonin të regjistruar apo të licencuar nga kompania.
Ata dyshohet se kanë goditur me grusht një protestues dhe më pas e kanë marrë me forcë në brendësi të rrethimit të pronës, duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Në përfundim të hetimeve administrative, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur heqjen e licencave për ushtrimin e aktivitetit të të dy kompanive, bazuar në shkeljet e konstatuara dhe në dispozitat e ligjit “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”.
Policia bën të ditur se hetimet penale dhe administrative për këtë ngjarje vijojnë