Aktualitet
“DO TË VRAS”/ Kërcënohet me vdekje gazetari Osman Stafa, Policia nis hetimet
Gazetari Osman Stafa ka kallëzuar në Polici se është kërcënuar me vdekje përmes një mesazhi të dërguar në llogarinë e tij në Facebook. Në mesazh, autori shkruan: “mbaje mend do të vras” dhe “këtë ta garantoj”.
Sipas dëshmisë së gazetarit, kërcënimi dyshohet se lidhet me një material filmik të realizuar dhe publikuar prej tij gjatë protestës së 8 shtatorit pranë Parlamentit. Në pamjet e publikuara, Stafa kishte dokumentuar veprimet e disa personave civilë gjatë ndalimit dhe arrestimit të një protestuesi.
Policia e Shtetit bën me dije se mesazhi dyshohet të jetë dërguar nga një llogari e falsifikuar. Për rastin janë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Hetimet po zhvillohen për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja”, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e personit që qëndron pas llogarisë dhe dokumentimin e plotë të rrethanave.
Policia e Shtetit deklaron se do të vijojë angazhimin për garantimin e sigurisë së gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës dhe se do të reagojë ndaj rasteve të kërcënimit, intimidimit apo presionit që cenojnë lirinë e tyre profesionale.