Kronike
Dosja Agasi hap kutinë e “Pandorës”/ Hetimet e SPAK që goditën Prodën dhe Hysenin
Sipas disa mediave, një operacion i Byrosë Kombëtare të Hetimit ka nisur mëngjesin e 22 shtatorit, në zbatim të vendimeve të GJKKO-së, me kontrolle banesash dhe personale ndaj disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve, kryesisht të strukturave të sigurisë.
Në fokus të operacionit është edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Sipas raportimeve, agjentët e BKH-së kanë kontrolluar banesën e tij në Tiranë, ndërsa gjatë veprimeve janë sekuestruar pajisje elektronike, përfshirë telefona celularë, laptopë dhe USB, të cilat pritet t’i nënshtrohen ekspertimit.
Zhvillimet prekin edhe drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, raportohet se është vendosur nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, së bashku me pezullimin nga detyra. Masa është raportuar mëngjesin e 22 shtatorit, ndërsa deri në një njoftim zyrtar të plotë mbeten për t’u sqaruar detajet e procedimit.
Në të njëjtën linjë hetimi përmendet edhe dosja e AKSHI-t dhe materialet e administruara nga SPAK gjatë hetimeve ndaj Ergys Agasit. Agasi u arrestua më 26 gusht 2026 në zonën e Plepave në Durrës, pas disa muajsh në kërkim. Në momentin e arrestimit, me të ndodhej edhe ish-zyrtari i Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku.
Sipas njoftimit të SPAK të kohës, Shpataraku u arrestua në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Ai kishte mbajtur më herët detyra në strukturat e Policisë së Shtetit, përfshirë postin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Elbasanit dhe funksione në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Pas arrestimit të Shpatarakut, hetimi është shoqëruar me kontrolle dhe administrim të materialeve elektronike. Tashmë, veprimet e BKH-së janë shtrirë edhe te ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ndërsa masa është raportuar edhe ndaj drejtueses së SHISH.
Megjithatë, deri në një njoftim të plotë zyrtar nga SPAK, nuk është bërë e qartë se cilat janë provat konkrete që kanë çuar në kontrollet ndaj Prodës dhe masën ndaj Hysenit, apo nëse të gjitha veprimet e 22 shtatorit lidhen drejtpërdrejt me dosjen e AKSHI-t.
Tashmë pritet që SPAK të sqarojë objektin e procedimit, personat ndaj të cilëve janë ekzekutuar vendimet e GJKKO-së dhe veprat penale që u atribuohen secilit prej tyre. Ndërkohë, materialet elektronike dhe dokumentet e sekuestruara pritet të analizohen nga hetuesit dhe mund të japin elementë të rinj për vijimin e hetimit.