✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

DOSJA SHISH MERR ZJARR/ Kalaja: SPAK PO E ZHVENDOS VËMENDJEN TE MESAZHET EROTIKE

Juristja Adriana Kalaja ka komentuar zhvillimet e fundit që lidhen me hetimet ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe dosjen e AKSHI-t.

Kalaja e zhvendosi fokusin te përgjegjësia politike dhe mënyra se si, sipas saj, po prezantohen në publik materialet hetimore.

“Në rastin konkret, nuk është faji as i Ergys Agasit, as i Vlora Hysenit, as i Belinda Ballukut. Strumbullari i gjithë kësaj piramide kriminale është Edi Rama. Janë provat në dosje,” deklaroi ajo.

Duke iu referuar largimit të Hysenit nga drejtimi i SHISH-it, Kalaja ngriti pikëpyetje mbi kompetencat e Kryeministrit, duke argumentuar se ligji i jep atij të drejtën për të propozuar drejtuesin e SHISH-it, ndërsa emërimi bëhet nga Presidenti.

Më tej, Kalaja kritikoi publikimin e disa prej komunikimeve të dosjes, duke pretenduar se vëmendja po përqendrohet te mesazhet me përmbajtje intime dhe jo te informacionet që lidhen me dyshimet për sekretet shtetërore.

“Në 500 e ca mesazhe, video dhe telefonata, ti nuk mund të qëmtosh 5 SMS erotike dhe na i hedh ne në publik për të na treguar…”, tha Kalaja.

Sipas saj, pyetja kryesore duhet të jetë se çfarë informacioni shtetëror dyshohet se është nxjerrë, kush e ka marrë atë dhe nëse është përdorur për interesa kriminale.

“Nuk nxjerr mesazhet që duhet të nxjerrë që kanë të bëjnë me sekretet shtetërore. Çfarë janë këto sekrete shtetërore, kush i ka sot që po flasim? A i përdori ndonjëherë Ergys Agasi dhe bandat kriminale këto sekrete shtetërore?”, u shpreh juristja.

Në vijim të debatit, Kalaja e cilësoi publikimin e komunikimeve intime si një “histori rozë”, duke argumentuar se kështu rrezikon të zhvendoset vëmendja nga aspektet që, sipas saj, janë thelbësore për hetimin.

Ajo ngriti gjithashtu pretendimin se publikimi i këtyre materialeve mund të jetë pjesë e një narrative që synon të largojë vëmendjen nga çështje të tjera që lidhen me zyrtarë të lartë.

“Fokusi i SPAK dhe i opinionit publik të zhvendoset tek dosja e AKSHI-t dhe jo tek dosja e të pandehurës Belinda Balluku,” deklaroi Kalaja.

Kalaja theksoi se, sipas saj, debati publik nuk duhet të përqendrohet te aspektet personale të marrëdhënieve të përmendura në dosje, por te pyetjet që lidhen me përdorimin e mundshëm të informacionit shtetëror dhe të funksioneve publike.

Pretendimet e bëra nga Adriana Kalaja janë qëndrime të saj të shprehura gjatë intervistës dhe nuk përbëjnë konstatime gjyqësore mbi përgjegjësinë e personave të përmendur.

Advertisement