Aktualitet
E kthyen Çerçiz Topullin në dordolec, jep dorëheqjen kreu i Agjencisë Kulturore në Gjirokastër
Kreu i Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Florian Hysi, ka dhënë dorëheqjen nga detyra pas polemikave të krijuara për mënyrën e paraqitjes së veshjeve të Çerçiz Topullit në Muzeun Historik, në kalanë e Gjirokastrës.
Reagimet nisën pas publikimit të pamjeve nga ekspozimi i veshjeve të figurës historike, ku kritikat u përqendruan te mënyra e paraqitjes së manekinit. Ekspozimi u konsiderua i papërshtatshëm dhe jo në përputhje me konceptimin e një hapësire kushtuar figurave të rëndësishme të historisë kombëtare.
Pas reagimeve, mënyra e ekspozimit u korrigjua.
Deklarata:
Pas një periudhe pune të përkushtuar në shërbim të trashëgimisë kulturore, muzeve dhe Gjirokastrës, kam vendosur të jap dorëheqjen time prej pozicionit që mbaj.
E bëj këtë vendim me përgjegjësi dhe me bindjen se çdo detyrë publike duhet të shoqërohet me përgjegjësi personale për çdo vendim veprim apo gabim që mund të ndodhë gjatë saj. Ajo që u konsiderua gabim u korrigjua dhe marr të gjithë përgjegjësinë përsipër.
Largohem me mirënjohje për mbështetjen e Bashkisë Gjirokastër për kolegët dhe veçanërisht për punonjësit e Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore me të cilët kemi punuar dhe realizuar ehumë më shumë më tepër sesa ishte bërë prej vitesh.
Dorëheqja ime nuk është dorëzim nga ajo që besoj. Është një akt përgjegjësie dhe respekti për institucionin !
Mbetem mirënjohës për punën e bërë, për përpjekjet tona dhe për çdo gjurmë që kemi lënë në muze dhe në kujtesën e Gjirokastrës.
Do të vazhdoj ta dua dhe ta mbështes Gjirokastrën, trashëgiminë e saj dhe kujtesën tonë kombëtare , në çdo formë që do të më jepet mundësia.
Ne u përpoqëm atë që u konsiderua gabim e korrigjuam dhe punën do t’a lëmë të flasë vetë.
Mirënjohje !
Florian Hysi