Kronike
E vranë sot në mes të qytetit, çfarë dihet për Artan Myrtajn, emër i njohur për policinë
Artan Myrtaj është vrarë me armë zjarri paraditen e sotme në Sarandë, në një atentat që dyshohet se është kryer nga dy persona.
Myrtaj, i cili sipas raportimeve ishte 44 vjeç, ka mbetur i vdekur në vend. Autorët dyshohet se kanë qenë të pajisur me skafandër dhe kanë lëvizur me motor, ndërsa pas të shtënave janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Viktima ishte një emër i njohur për policinë e Sarandës. Në vitin 2025, ai ishte arrestuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me një ngjarje plagosjeje të regjistruar në qytet.
Në atë kohë, Myrtaj ishte shpallur në kërkim si një prej personave të dyshuar për përkrahjen e autorëve të plagosjes me armë të Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt.
Ngjarja e vitit 2025 dyshohet se kishte lidhje me një konflikt për një pronë në vijën bregdetare të Sarandës.
Ndërkohë, pas ekzekutimit të sotëm, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e dy autorëve të dyshuar.
Deri tani nuk janë bërë të ditura motivet e atentatit dhe nuk ka të dhëna zyrtare nëse ngjarja e sotme lidhet me konfliktin e mëparshëm për pronën.