Politike
DO TA THYEJ/ ERION BRAÇE KERCENON PASQYREN
Erion Braçe i jep një shans “Pasqyrë Albania”, por vendos edhe kufirin.
Deputeti socialist deklaron se platforma e prezantuar nga kryeministri Edi Rama duhet të provohet nga deputetët dhe qytetarët, por nëse ajo dështon të japë rezultat, do të jetë vetë ai që do ta “thyejë pasqyrën”.
Në një intervistë për “Frontline” në Report TV, Braçe e konsideroi platformën një mundësi për të vendosur në të njëjtën hapësirë shqetësimet e qytetarëve dhe përgjigjet e institucioneve, duke krijuar një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe transparent.
“Unë dua ta provoj, ashtu si edhe qytetarët duhet ta provojnë me qëllim që ta bëjmë të funksionojë. Në momentin që funksionon, ka sukses. Në momentin që nuk funksionon, unë i pari do e thyej pasqyrën”, deklaroi Braçe.
Por për deputetin socialist, problemi nuk qëndron vetëm te një platformë.
Ai pranon se një pjesë e deputetëve kanë humbur kohë dhe nuk kanë qenë mjaftueshëm të pranishëm në territor. Sipas tij, detyra e deputetit nis pikërisht nga kontakti me qytetarët, dëgjimi i shqetësimeve të tyre dhe kërkimi i zgjidhjeve.
Braçe thotë se këtë mënyrë të të bërit politikë e ka ndjekur prej 30 vitesh dhe se, pavarësisht kohës së humbur, “nuk është kurrë vonë për të takuar njerëzit”.
Në qendër të filozofisë së tij politike, Braçe vendos tre elemente: praninë, dëgjimin dhe përgjegjësinë.
Sipas tij, deputetët duhet të jenë në lagje, në rrugë dhe në komunitete, ndërsa pushteti nuk duhet t’i marrë marrëdhëniet me qytetarët si të mirëqena.
“Është një marrëdhënie që ndërtohet përditë dhe duhet t’i qëndrosh përditë asaj”, shprehet Braçe.
Ai e lidh këtë edhe me konceptin e “besës”, duke theksuar se për të kjo marrëdhënie me qytetarët është ndërtuar përgjatë tre dekadave.
Por kritika e deputetit shkon edhe te mënyra se si vendimet e qeverisë dhe të Parlamentit prekin drejtpërdrejt njerëzit.
Si shembull, ai sjell pensionet dhe problemin e qytetarëve që, sipas tij, kanë humbur përfitimin e plotë të pensionit për shkak të vonesave.
Mes optimizmit dhe paralajmërimit, Braçe vendos kështu një kusht të qartë: “Pasqyrë Albania” duhet të funksionojë në terren, jo vetëm në teori.
Dhe nëse nuk funksionon, ai premton të jetë i pari që do ta thyejë.