Thinking ...
Connect with us

Politike

Eurodeputetja Salis, nga protesta në Tiranë te sekuestroja e llogarisë: 300 mijë euro dëmshpërblim dhe 7 mijë euro borxh

Fillimisht u dënua me një dëmshpërblim në vlerën totale prej 300 mijë eurosh, ndërsa tani është vendosur sekuestrimi i llogarisë bankare ku merr pagën si eurodeputete, për shkak të mospagimit të disa shpenzimeve gjyqësore në vlerën 7 mijë euro.

Rritet kështu shuma që Ilaria Salis, eurodeputete e Aleancës së të Gjelbërve dhe të Majtës (AVS), mund t’u detyrohet ish-asistentëve të saj parlamentarë dhe avokatëve të tyre, Kapitulli i ri i kësaj çështjeje gjyqësore është raportuar nga media italiane Il Giornale.

Përfituesit e shumës kryesore janë Valentina Dadda dhe Francois Gelmetti, dy ish-bashkëpunëtorët që iu drejtuan Gjykatës së Punës në Milano pasi, sipas tyre, ishin shkarkuar nga puna pa shkaqe të ligjshme.

Në gjykimin e shkallës së parë, gjyqtari u kishte dhënë të drejtë dhe kishte caktuar një dëmshpërblim prej 150 mijë eurosh për secilin, shumë që korrespondon me pagesat që Dadda dhe Gelmetti do të kishin përfituar nëse do të kishin vazhduar detyrën deri në përfundim të mandatit në Parlamentin Europian.

Salis më pas kishte paraqitur ankim, duke argumentuar se asistentët kishin kryer shkelje të rënda të detyrimeve të tyre. Në të njëjtën kohë, ajo kishte nisur dy procedura civile për të pezulluar ekzekutimin e vendimit dhe urdhrat për pagesë, përmes të cilëve dy ish-bashkëpunëtorët mund të kërkonin ekzekutimin e shumave, siç raporton gazeta italiane.

Megjithatë, kërkesat e saj u rrëzuan dhe eurodeputetja u urdhërua të paguante rreth 7 mijë euro shpenzime gjyqësore. Meqenëse kjo shumë nuk ishte paguar, avokatët e ish-bashkëpunëtorëve nisën procedurën për sekuestrimin e llogarisë bankare.

Vendimi i Apelit pritet në tetor

Pagesa e dëmshpërblimit prej 300 mijë eurosh, ndërkohë, është pezulluar me kërkesë të Salis, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret së bashku me vendimin e Gjykatës së Apelit në tetor.

“Ajo nuk ka marrë as aktin e urdhërimit për pagesë dhe as aktin e sekuestrimit dhe, deri më sot, nuk është në dijeni as të shumës së saktë që kërkohet dhe as të të dhënave bankare të nevojshme për të kryer pagesën”, deklarojnë avokatët e saj.

Emri i Ilaria Salis është bërë i njohur së fundmi edhe në Shqipëri. Më 27 qershor 2026, eurodeputetja italiane mori pjesë në protestën e zhvilluar në Tiranë, ku mbajti edhe një fjalim para Kryeministrisë, duke iu bashkuar të ashtuquajturit “Revolucioni i Flamingove”.

Advertisement