✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Fundjava nën pushtetin e shiut, shtrëngata dhe rrufe në disa zona të Shqipërisë

Reshjet e shiut dhe moti i paqëndrueshëm do të shoqërojnë Shqipërinë gjatë fundjavës dhe në ditët e para të javës së ardhshme. Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, vranësirat do të jenë të pranishme në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në disa zona priten edhe shtrëngata afatshkurtra me shkarkesa elektrike.

E shtuna do të karakterizohet nga vranësira mesatare deri të dendura, me intervale të herëpashershme kthjellimesh. Reshjet do të nisin që në orët e para të ditës, kryesisht me intensitet të ulët. Në veriperëndim, pjesërisht në zonën qendrore dhe lokalisht në jug, priten shtrëngata me intensitet mesatar, të shoqëruara me shkarkesa elektrike.

Pas mesditës, intensiteti i reshjeve do të ulet, ndërsa gjatë natës parashikohet një ndërprerje e përkohshme. Shiu do të rikthehet të dielën pas mesditës, fillimisht përgjatë vijës bregdetare dhe më pas në pjesën tjetër të vendit.

Sipas sinoptikanes së SHMU-së, Elida Maloçali, edhe fillimi i javës së ardhshme do të vijojë me vranësira të dendura dhe reshje shiu, kryesisht me intensitet të ulët deri mesatar. Shtrëngatat dhe shkarkesat elektrike nuk do të mungojnë në veri, veriperëndim, pjesërisht në qendër dhe lokalisht në jug.

Temperaturat nuk pritet të pësojnë ndryshime të ndjeshme gjatë fundjavës, duke luhatur nga 8 deri në 22 gradë Celsius. Në ditët e ardhshme ato parashikohen të arrijnë deri në 24 gradë.

Era do të fryjë nga jugu me shpejtësi rreth 8 metra në sekondë, ndërsa në bregdet dhe zonat luginore mund të arrijë deri në 16 metra në sekondë. Në dete, valëzimi pritet të jetë i forcës 2-4 ballë.

Advertisement