✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Qëndroi 19 muaj në qeli por më pas u shpall i pafajshëm/ Ish-kreu i Burgjeve kërkon më shumë dëmshpërblim

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, kërkon rritjen e dëmshpërblimit për periudhën që qëndroi në paraburgim, pasi u shpall i pafajshëm për akuzat e korrupsionit me tenderat e ushqimeve në burgje. Për këtë arsye, ai i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs, duke kundërshtuar vendimin për kompensimin financiar të përfituar.

Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, Zoto kërkon rishikimin e vendimit që i njohu një dëmshpërblim prej 1 milion e 725 mijë lekësh për kohën e kaluar në qeli.

Ish-zyrtari u arrestua më 21 shkurt 2017, në kuadër të hetimeve për abuzimet me tenderat e furnizimit me ushqime për burgjet. Ai qëndroi në paraburgim deri më 19 shtator 2018, kur Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e shpalli të pafajshëm.

Në shkallën e parë, Zoto ishte dënuar me 5 vite burg për korrupsion pasiv, bazuar kryesisht në dëshminë e ish-zëvendësit të tij, Iliaz Labi, i cili kishte bashkëpunuar me drejtësinë. Labi pretendonte se kishte marrë 2 milionë lekë nga bizneset që konkurronin në tendera dhe se paratë ia kishte dorëzuar Zotos.

Megjithatë, vendimi i shkallës së parë u rrëzua në Apel dhe Zoto u shpall i pafajshëm. Pas këtij vendimi, ai iu drejtua Gjykatës Administrative për të kërkuar kompensim për paraburgimin, ku në shkurt të vitit 2019 iu njohën 1 milion e 725 mijë lekë dëmshpërblim.

Tashmë, me rekursin në Gjykatën e Lartë, ish-drejtori kërkon rishikimin e vendimit për kompensimin e tij.

Advertisement