Aktualitet
Gjyqtarët kërkojnë pagat/ Gogu: Respektojmë Kushtetuesen, por edhe buxhetin
Në të njëjtën kohë që 271 gjyqtarë u mblodhën në një mbledhje të jashtëzakonshme në Polin e Drejtësisë, duke kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat, çështja u diskutua edhe në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, u pyet nga deputeti demokrat Saimir Korreshi lidhur me situatën e krijuar dhe mënyrën se si do të zgjidhet çështja e pagave të magjistratëve.
Korreshi ngriti shqetësimin për mosmarrjen e pagave dhe iu referua edhe deklaratave të mëparshme të mazhorancës se çështja do të zgjidhej në Kuvend.
Në përgjigjen e tij, Gogu tha se Kuvendi po ndjek procedurat e parashikuara në kalendarin parlamentar dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet. Sipas tij, çështja duhet të trajtohet duke mbajtur në konsideratë njëkohësisht gjendjen e buxhetit të shtetit dhe detyrimin për zbatimin e vendimit të Kushtetueses.
Ministri tha se nuk do të komentonte vonesat e Kuvendit, ndërsa theksoi se nuk do të komentonte as vonesat në arsyetimin e vendimeve gjyqësore, të cilat sipas tij krijojnë situata problematike për shtetin e së drejtës.
Gogu la të kuptohet se zgjidhja e çështjes pritet të vijë përmes diskutimeve dhe procedurave në Kuvend, ndërsa qëndrimi i qeverisë mbetet që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të zbatohet, duke respektuar edhe kufizimet buxhetore.